Meta: U ndava me PS në 2004-ën se u kthye në pengesë të integrimit evropian dhe, ku jemi sot?!

Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar sot para mediave se arsyeja pse ai u nda me Partinë Socialiste në vitin 2004, ishte se kjo parti bllokoi integrimin evropian të vendit. Dhe po ashtu, theksoi se ishte LSI-ja, partia që ai themeloi, e cila luajti rol përcaktues për t’i dhënë fund asaj qeverie që ai e cilësoi :kishte prioritet vetëm pushtetin dhe korrupsionin dhe kishte bllokuar integrimin”.

Meta solli në vëmendje si një dështim të qeverisë aktuale së PS-së, faktin që Shqipëria nuk i ka çelur ende negociatat me BE-në, dështim që bie dukshëm në sy pasi u  kapërcye nga shtete si Serbia dhe Mali i Zi, që e firmosën vite pas saj, Marrëveshjen e Stabilizim Asociiimit.

Pyetjes se “ ju keni qenë në vitin 2013 në aleancë me Edi Ramën,  çfarë bëtë ju për përmirësimin e arsimit dhe të fushave të tjera që kanë qenë dhe janë problem për shoqërinë shqiptare”, Presidenti iu përgjigj me këto fjalë:

“Besoj se janë dy gjëra të ndryshme, - tha kreu i shtetit, -  angazhimi im politik para se të merrja detyrën e Presidentit të Republikës dhe përmbushja e kësaj detyre dhe njëkohësisht përmbushja e angazhimeve të mia në periudhat e mëparshme.

Për sa i përket periudhave të mëparshme të angazhimit tim, ju e dini që unë jam ndarë me PS-në në vitin 2004 për shkak se ajo ishte kthyer në një pengesë të integrimit evropian të vendit dhe praktikisht bllokoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Kjo ishte arsyeja që unë jam ndarë me PS-në dhe kam themeluar një forcë të re politike siç ishte LSI, pikërisht për të zhbllokuar këtë bllokim të procesit të integrimit evropian dhe kam realizuar këtë gjë, pasi në vitin 2005 LSI luajti një rol përcaktues për t’i dhënë fund një qeverie e cila kishte prioritet vetëm pushtetin dhe korrupsionin dhe kishte bllokuar integrimin evropian të vendit.

Dhe ishte pikërisht rotacioni i vitit 2005 që solli nënshkrimin e MSA në vitin 2006 midis Shqipërisë dhe BE dhe më duhet të them që në atë kohë, Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera nuk ekzistonin fare në këtë proces dhe ato e nënshkruan këtë marrëveshje që Shqipëria e firmosi në vitin 2006,  vite mbrapa.

Por, ku jemi sot?! Ju e dini shumë mirë. Ato i kanë çelur negociatat që ne nuk i kemi çelur dhe shpresojmë shumë që në qershor të kemi një qasje strategjike nga BE-ja, qoftë dhe për shkak të zhvillimeve të fundit në Ukrainë, por ato i kanë çelur negociatat dhe kjo është e papranueshme për vendin tonë si vend 100% proevropian.”