Presidenti i Barcelonës nuk e ka të qartë se çfarë ndodhi në tribuna: Jemi të zemëruar, është një turp

Barcelona u eliminua nga Europa League pasi u mposht në shtëpi nga Eintrachtr Frankfurt 2-3. Mirëpo përveç humbjes së Barçës, ky takim tërhoqi vëmendjen edhe për numrin e shumtë të tifozëve miq në tribunat e “Camp Nou”.

Edhe pse pritej të kishin një mbështetje të madhe, mysafirët nga Gjermania i kaluan parashikimet dhe më shumë se 30 mijë ishin prezent në stadium. Askush nuk e ka të qartë se si kishin arritur të futeshin në stadium, kur kishin në dispozicion një numër të kufizuar biletash, rreth 5000.

Kjo situatë ka zemëruar jashtëzakonisht edhe presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, i cili e cilësoi si një turp atë që ndodhi në tribuna.

"Ajo që ndodhi në tribuna ishte një turp dhe nuk duhet të përsëritet. Ne nuk mundëm të fitonim. Jemi të gjithë të trishtuar dhe të zemëruar për humbjen, por duhet pranuar. Megjithatë, ne ndihemi të poshtëruar për shkak të asaj që ndodhi në tribuna. Do të marrë masa për këtë”, tha i zhgënjyer Laporta.