157 vite burg për 8 të pandehurit kërkon SPAK! Nga Talo Çela te Klement Çala dhe dritëhijet e vrasjes së Admir Muratit

Ajo që u konsiderua si supergrabitja, e cila solli përveçse tronditjen e sigurisë së vendit, edhe shumë viktima, dje ka marrë përgjigjen nga SPAK.

Të akuzuarit për grabitjen e miliona eurove në barkun e avionit që do të nisej për në Vjenë, janë njohur me masat e dënimit që kërkon Prokuroria për ta. Bëhet fjalë për më shumë se 1 shekull e gjysme të gjithë bashkë, ndërkohë që do të jetë Gjykata ajo që do të vendosë konkretisht se sa do të dënohen të 8 personat e akuzuar për goditjen më spektakolare që iu dha transfertës së parave. Fiks pas 3 vitesh nga 9 prilli i 2019-s, SPAK ka arritur në konkluzionin se Klement Çala, djali nga Elbasani, të marrë edhe dënimin më të rëndë për atë grabitje me 24 vjet burg, ndërkohë që për 7 të tjerët, përfshirë edhe Talo Çelën, të shumëkërkuarin e Policisë së Shtetit, për të cilin Policia është e gatshme të hedhë para për informacionin e vendndodhjes së tij, meqë vetë nuk e gjen dot, SPAK ka vendosur masën prej 19 vitesh.

Pretenca

Referuar të dhënave që vijnë nga SPAK bëhet me dije se është kërkuar plot 157 vite burg nga Prokuroria në Gjykatë për grupin prej tetë personash të akuzuar për grabitjen e 10 milionë eurove në pistën e Rinasit në vitin 2019. Personazhi kryesor i grupit thuhet se është Talo Çela, i dyshuar edhe për disa ngjarje të kohëve të fundit, për të cilin u kërkuan 19 vjet heqje lirie. Talo Çela, në fakt, hyri në historinë e asaj grabitjeje pas një mori vrasjesh të njëpasnjëshme që u tha se ka lidhje me zhdukjen e një sasie të madhe nga paratë e Rinasit, pasi në fillim nuk ishte i dyshuar. Ai u akuzua më pas për vrasje në Durrës, Tiranë e Elbasan, por që asnjë nuk janë faktuar deri më tani. Përveç dënimit me 19 vjet burg për Talo Çelën, pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 24 vite burg për Klement Çalën dhe nga 19 vite heqje lirie për 6 të pandehurit e tjerë, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi. Ata akuzohen se në bashkëpunim si grup i strukturuar kriminal, grabitën më 9 prill të vitit 2019, rreth 10 milionë euro në Aeroportin e Rinasit.

• 19 vjet burg për Talo Çelën
• 24 vite burg për Klement Çalën
• 19 vite burg për Eldi Çalën
• 19 vjet burg për Oltjan Veselin
• 19 vjet burg për Renaldo Sulën
• 19 vjet burg për Saimir Çelën
• 19 vjet burg për Elton Piklin
• 19 vjet burg për Alkond Bengasin

Grabitja që çoi në hasmëri

Tetë të pandehurit akuzohen se kanë pasur role të ndara që nga sigurimi i armëve dhe modifikimi i fugonit që u përdor për të hyrë në pistën e aeroportit për marrjen e thasëve me kartëmonedha në momentin që po ngarkoheshin në avion. Prokuroria e Krimeve të Rënda, që e regjistroi çështjen asokohe pretendoi se ka mundur të sigurojë mes të arrestuarve edhe një dëshmitar. U bë fjalë konkretisht për Alkond Bengasin, i cili hyri në një tratativë bashkëpunimi me hetuesit, por më vonë ai u tërhoq. Tërheqja erdhi pasi një pjesë e mirë e të pandehurve iu drejtuan Gjykatës me një kërkesë për ballafaqim me të penduarin e drejtësisë dhe më pas Bengasi hoqi dorë duke i kërkuar Gjykatës që ai të ishte thjesht i pandehur si të tjerët.

Mirëpo, dy vrasje të njëpasnjëshme në Durrës trazuan ujërat. 4 të rinj, mes tyre dy vëllezër pukjanë, u ekzekutuan vetëm një vit pas grabitjes së Rinasit e për pasojë një i ri u bë dëshmitar i drejtësisë, duke folur në lidhje me emrat që ishin pjesë e atyre dy atentateve. Në lojë hyjnë emri Talo Çelës dhe i Nuredin Dumanit. Madje, u tha se vrasjet kishin ndodhur për zhdukjen e një sasie të madhe parash nga ato që ishin grabitur në barkun e avionit.

Në fakt, as sot e asaj dite nuk janë zbardhur një mori episodesh që lidhen me atë akt tronditës, ndërkohë që u ekzekutua në rrethana misterioze ai që u konsiderua edhe si truri i grabitjes Admir Murati, tropojani që u bë kryelajm për muaj me radhë në Greqi për shkak se organizoi një prej arratisjeve më të bujshme nga burgjet e Greqisë. Policia tha se e kishte vrarë vetë Muratin në shkëmbimin e zjarrit që bënë me grabitësit. Po ngjarja u shoqërua me mister të madh, sidomos pas morisë së viktimave që thuhet se prodhoi zhdukja e një sasie të atyre parave.

Prokuroria kërkoi edhe një sërë hetimi pasuror për një pjesë të mirë të të pandehurve të kësaj çështjeje, ndërkohë që e konsideroi Klement Çalën, mikun e Admir Muratit si personin kryesor të asaj grabitjeje, ndoshta për shkak të precedentëve që kishin ardhur nga drejtësia greke për ta.

Admir Murati dhe Klement Çala, të akuzuarit si ‘truri’ i supergrabitjes

Djali nga Tropoja që u gjend i vrarë ditën e grabitjes që ndodhi në brendësi të aeroportit të Rinasit ishte i shumëkërkuar nga drejtësia greke. Në fakt, bashkë me të të njëjtat akuza ishin edhe për Klement Çalën.

Ata, bashkë me disa persona të tjerë, kishin mundur të arratisen nga burgu grek, ndërkohë që në shkëmbime zjarri me Policinë greke pati edhe të vrarë. Ata ishin jo vetëm të akuzuar dhe të dënuar me burgime të përjetshme, por edhe pas arratisjes ishin një mori grabitjesh që iu faturua aktivitetit të tyre kriminal në shtetin grek. Ditën e grabitjes së Rinasit, ndërkohë që viktima, e cila më pas rezultoi të ishte Admir Murati nuk ishte identifikuar ende për shkak se kishte marrë plagë të shumta, tha Policia jonë, por mediat greke pohuan se viktima e atij shkëmbimi zjarri në grabitjen e Rinasit ishte Admir Murati, i shumëkërkuari i drejtësisë së tyre.

Ekzekutimi misterioz i Muratit në të njëjtën ditë ngriti shumë pikëpyetje, që në fakt nuk u zbardhën kurrë. Më vonë u mësua se në fakt Murati ishte vrarë vetëm me një plumb në kokë dhe u tha se nuk ishte gjetur gëzhojë në vendin e ngjarjes. Po ashtu, u tha se dhe dyshimet ishin se vrasja ishte bërë shumë afër, çka hodhi dyshimin se ai mund të ishte vrarë në vend tjetër dhe nga persona shumë afër tij. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda asokohe dhe më vonë SPAK nuk e hetuan fare ngjarjen, duke e lënë si vrasje gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve dhe Policisë pas kryerjes së grabitjes./Panorama/