Greqi - Hiqet gjoba prej 100 euro për të pavaksinuarit

Nga sot, e premte, gjoba prej 100 euro për të pavaksinuarit mbi 60 vjeç i përket të shkuarës në Greqi. Masa është pezulluar deri në një njoftim të dytë, pasi vendosja e saj do të rishqyrtohet më 1 shtator.

Në të njëjtën kohë, platforma hapet sot për qytetarët e moshës 60 vjeç e lart, të cilët do të kenë mundësinë të caktojnë një takim për dozën e katërt të vaksinës kundër pandemisë Covid-19.

Gjithashtu nga data 1 maj hiqet detyrimi për paraqitjen e një certifikate vaksinimi ose shërimi për Covid në hapësirat e hapura dhe të mbyllura.

Gjithashtu janë hequr edhe vetëtestimet e rregullta nëpër shkolla, ndërsa kthimi i nxënësve nga pushimet e Pashkëve do të bëhet pa autotest.

Për sa u përket të pavaksinuarve, për të hyrë në vendet e tyre të punës duhet të bëjnë një test të shpejtë njëherë në javë.