Mbi 18 mijë dosje të pa gjykuara në Apel/ Balili: Mungesë në organikë! Daci: Harta e re gjyqësore ka pasoja

Në Gjykatën e Apelit në Tiranë, mbi 18 dosje janë në pritje të gjykimit, prej të paktën 4 vitesh. Ndërkohë me prioritet janë çështjet penale për shkak të afateve. Lajmi i mirë është se në këtë gjykatë pritet të kthehen 6 gjyqtarë, duke e çuar në 14 numrin e tyre, nga 31 që duhet të ketë organika. Kancelarja e Gjykatës së Apelit, Letirda Balili dhe juristi Jordan Daci, folën për Syri Televizion në lidhje me këtë situatë në gjyqësor.

Mbi 18 mijë e 400 dosje janë në pritje të gjykimit nga Gjykata e Apelit në Tiranë, nga të cilat më shumë prioritet kanë çështjet Penale dhe që nuk presin për shkak të afateve. Lertida Balili, kancelare e kësaj Gjykate duke folur për Syri Televizion, zbuloi detaje rreth organikës së Apelit në Tiranë.

“Aktualisht deri në fund të muajit mars 2022 ka 18 mijë çështje gjyqësore, civile dhe penale. Ato civile janë numër më i lartë, ato penale gjykohen në afat më të shpejtë, çështje me afate që janë të burgosur.”-tha Balili.

Balili tha se shumica e dosjeve civile që kanë mbetur pa u shqyrtuar i përkasin periudhës nga viti 2017.

“Dosja momenti ne ardhjes merr një numër regjistri. Sipas radhës së regjistrimit janë çështjet e vitit 2017 në radhë gjykimi. Prioritet kanë çështjet penale.”-tha Balili.

Lajmi i mirë sipas kancelares, është fakti se 6 gjyqtarë janë në pritje, 5 prej të cilëve të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe Fatri Ismailaj i rikthyer në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili rrëzoi vendimin e shkarkimit të tij nga KPK.

Juristi Jordan Daci e shikon me mjaft rezerva gjendjen e krijuar në gjyqësor për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve në organikë. Ai tha se dosjet në Apelin e Tiranës dhe atë Administrative të Apelit, kanë mbetur stok prej vitesh.

“Numri i këtyre gjyqtarëve nuk mjafton për gjykimin e këtyre çështjeve përveçse në afate tejet të zgjatura që do të ishin mbi 5 deri në 7 vite. Gjykata edhe nëse do ishte e plotë me një trupë prej 71 vetash prap do kishte probleme.”-tha Daci.

Për Dacin, harta e re gjyqësore që është parashikuar të implementohet, vetëm sa e vështirëson funskionimin e sistemit të drejtësisë.

“Shpresoj që projekti për një apel të vetëm të mos pranohet. Harta gjyqësore si është planifikaur është e gabuar. Nuk reflekton mundësinë reale për të hequr numrin e madh të çështjeve që janë grumbulluar.”-tha Daci për Syri Tv.

Në organikën e Apelit të Tiranës duhet të jenë 31 gjyqtarë. 14 janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 3 prej të cilëve me formë të prerë. Ndërkohë, 2 kanë kaluar si anëtarë të Gjykatës së Lartë një si anëtrar i KLGJ-së dhe 6 të tjerë janë tërhequr.