Zgjedhje, por dhe sjellje europiane me Presidentin!

Konsultimet dhe tratativat për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Shtetit që përfundojnë më 24 Maj janë një proces i rëndësishëm politik dhe institucional ; ca më tepër nisur dhe nga përvojat e pakëndshme në 25 vitet e fundit. Ndaj, krahas demarsheve për gjetjen e personalitetit të duhur, që nuk duhen kthyer në “panair/pazar” politik dhe mediatik është e nevojshme të reflektohet thellë mbi këto dukuri negative ; veçse jo “bardhë e zi”, sipas humorit politik të ditës, por në mënyrë objektive, duke i dhënë “Qezarit atë që i takon” dhe sipas parimit “kiji inatin por jepi hakun” Në këtë kuptim, janë të gabuara pohimet përjashtuese se “na duhet një si ky, por jo si ai”. Në fakt, na duhet një Kryetar Shteti, mishërim i cilësive më të mira të parardhësve të tij, duke shmangur çdo element të papëlqyeshëm institucional.

Me këtë rast, vlen të theksohet se Ilir Meta nuk është as pari dhe as i vetmi President që sulmohet ashpër, në Shqipëri dhe gjetkë. Dhe pse për ironi të fatit, ndryshe nga pasardhësit, si Kryeministër dhe në funksionet e tjera më të larta në 25 vitet e fundit, ai është sjellë si europian, me marrëdhënie tejet korrekte institucionale dhe miqësore me Presidentët Meidani, Moisiu, Topi dhe Nishani.

Gjithsesi, problemi nuk është vetëm Kryetari i Shtetit dhe “gjynahet “e tij, siç është trajtuar njëanshmërisht te ne, por në përgjithësi marrëdhëniet institucionale me maxhorancën e sidomos të Kryeministrave me ta. Është fakt i pamohueshëm se nga viti 1997 e këtej, të pestë Presidentët e Republikës kanë qenë dhe mbeten zgjedhje të duhura, personalitete të shquara politike, parlamentare, akademike dhe ushtarake. E megjithatë, kjo nuk i ka shmangur krisjet, konfliktet dhe përplasjet e ashpra, sidomos ndërmjet Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat kanë lënë gjurmë dhe në institucione të tjera të larta.

E megjithatë, nuk ka asnjë garanci se kjo histori nuk do të përsëritet, nëse nuk nxirren mësimet dhe përgjegjësinë përkatëse, pa ia “veshur qyrkun e fajit” vetëm njerës palë e duke “nxjerrë të larë” palën tjetër.

Për këtë, së pari është e nevojshme që qysh në zgjedhjen e kandidaturave të shihen dhe “kopjohen” praktikat më të përparuara të Evropës dhe BE-së, ku synojmë të antarësohemi ; dhe më e rëndësishmja, të shfaqet vlerësimi dhe sjellja e duhur e ndërsjellë institucionale nga të gjithë dhe në vazhdimësi. Këtu mund të mësohet shumë nga Franca për Bashkëjetesën ndërmjet presidentëve dhe kryeministrave të partive të ndryshme politike në 4 dekadat e fundit, por dhe nga Italia, Gjermania, Austria, Greqia dhe vende të tjera, ku nuk ka patur pothuajse asnjë incident në këtë fushë, e cila te ne mbetet e “minuar”!

Por, dhe më shumë mund të nxirren mësime nga përvoja dhe situatat problematike në “simotrat” tona Lindore, ku studimet tregojnë se këto konflikte përbëjnë 35 – 40 për qind të rasteve të vëzhguara.

Shquhet në këtë drejtim Ukraina, ku me përjashtim të tri viteve të fundit nuk gjen një vit të qetë. Kulmin aty e shënoi konflikti i dhunshëm midis Ish Presidentit Yushenko dhe ish Kryeministres Timoshenko, të dy liderët e Revolucionit “Portokalli” Po kështu, ish Presidenti polak Les Valessa i “Solidarnos” të famshëm u përfshi në vitet 90 në konflikte të ashpra me katër kryeministra. Në këto gjurmë eci dhe pasardhësi i tij social- demokrat, Kvansnievski dhe liberali Donald Tusk, ky i fundit ish President i Këshillit Europian në vitin 2008, i bllokoi atij avionin qeveritar për në Samitin e BE-së në Bruksel !

Në rajonin tonë, konflikte të tilla kanë përfshirë në vitet 90 e më vonë ish- Federatën Jugosllave; duke filluar nga Serbia me krizën Tadiç – Kostunica, në Kroaci Presidenti Josipoviç me Kosar, në Mal të Zi midis Gjukanovic dhe Bujanovic. Në Maqedoni ky konflikt shërtheu ashpër vitet e fundit midis ish – kryeministrit Gruevski dhe Presidentit Ivanov, që përfundoi keq për të parin, i cili ka dalë përpara drejtësisë.

Gjithsesi, dy rastet më tipikë, me zgjatje të gjatë kohore dhe më të ngjashme me vendin tonë për nga tematika, diapazoni dhe ashpërsia i përkasin Rumanisë dhe Bullgarisë. Në Rumani shpërtheu qysh në fillimin e vieve 90 konflikti ndërmjet dy drejtuesve të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, Presidentit Iliesku dhe Kryeministrit Roman. Më vonë, më 2007, Kryeministri Nastase iu kundërvu ashpër ish Presidentit Trian Basescu deri në shkarkimin e tij të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Në burg përfundoi vetë Nastase. Ndërsa në vitin 2012, ishte lideri tjetër social -demokrat Victor Ponta që u angazhua në beteja tejet të egra ndaj Trian Basescut që kishte fituar mandatin e dytë deri më 2014. Kjo “luftë për pushtet” vijoi dhe ndaj Presidentit të pavarur Johannis që përfundoi me largimin e Pontës edhe nga Partia social-demokrate.

Dhe në Bullgari, në fillimin e viteve 90 shpërthyen konfliktet e ashpra ndërmjet Presidentit Zelev dhe Kryeministrit Vidanov. Për të ardhur në Janar 2020, kur doli në sipërfaqe kriza e ashpër midis Kryeministrit Borisov dhe Presidentit Radev. Presidenti kundërshtoi kandidaturën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i kërkuar qeverisë forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, gangrenë sociale në atë vend. Në shenjë hakmarrjeje filluan sulmet, përgjimet dhe dhe akuzat për penalizimin e tij. Më tej, u ngritën akuza ndaj dy këshilltarëve të tij dhe në korrik forca të shumta policore bastisën zyrat presidenciale. Kjo shkakoi irritimin masiv të qytetarëve që u hodhën në protesta masive, duke kërkuar largimin e Borisov dhe të qeverisë.

Në këto situata të turbullta dhe jo normale, Presidenti Radev e la zyrën dhe doli në rrugë duke protestuar, si president i popullit.

Më në fund, Borisov u detyrua të tërhiqet dhe humbi në të tri zgjedhjet e përgjithshme parlamentare gjatë vitit të kaluar, ku Presidenti Radev doli sërish fitimtar dhe u rizgjodh në krye të Shtetit bullgar.

Duke u rikthyer te vendi ynë dhe duke u ndalur te Presidenti Meta, për një analizë sa më të drejtë të konflikteve me shumicën parlamentare, le të shohim shkurt 10 veçori specifike të mëposhtëme.

Fillimisht, ndryshe nga vendet e lartpërmendura, te ne Presidenti nuk zgjidhet direkt nga populli por nga Kuvendi. Kësisoj, ai bëhet me i rrezikuar nga ekzekutivi, që siç dihet, këto 25 vitet e fundit nuk ka lënë gjë pa bërë për ta kthyer presidentin në “noter” “kukull” “zgjatim “të tij ose thjesht figurë ceremoniale. Në fakt, dhe në disa vende perendimore si Greqia, Gjermania, Austria, etj presidenti zgjidhet nga Parlamenti me atribute përfaqësuese. Mirëpo, në kushtet e një demokracie tradicionale atje kjo nuk paraqet kurfarë problemi, ndërsa e kundërta ngjet në Shqipëri, ku vështirë të gjesh normalitet demokratik. .

Te ne këto konflikte bëhen si “ferra nëpër këmbë” për proceset demokratike, duke i vonuar dhe penguar ato artificialisht; për më tepër, ne nuk e kemi “luksin” për konflikte të tilla të «ngrira”; kjo mbasi, ndryshe nga vendet e sipërpëmendura, ne ndeshemi me sfida të shumta e sidomos me atë të çeljes së negociatave me BE-në, kur “simotrat” tona u pranuan në BE të paktën 16 vite më parë. Në aspektin e komunikimit publik, kriza të tilla kapërcehen me dialog dhe demarshe pajtuese, nëpërmjet kanaleve të duhura zyrtare, jo në “pazar” dhe kurrsesi me gjuhë të drunjtë, banale, me batuta fyese, insinuata dhe sulme personale, sidomos nga ana e shumicës, duke shfrytëzuar dhe eventet partiake, siç ndodhi së fundi më 9 Prill nga Kongresi i PS-së! E pajustifikueshme tani, përballë sjelljes korrekte institucionale të Presidentit, kur i kanë mbetur 100 ditë në atë post! Duket qartë se maxhorancës i “dhemb” shumë humbja në betejat juridike dhe nga ana tjetër kërkon të transferojë efektet e mangësive, aferave/skandaleve që e kanë tronditur rëndë te të tjerët dhe te Presidenti i Republikës edhe pse ai nuk ka të bëjë fare me to! Gjithashtu, si një rast “sui generis” Shqipëria kaloi mbi tre vjet pa Gjykatë Kushtetuese, e cila do t’u jepte zgjidhje problemeve dhe ankesave që kanë lindur nga ky konflikt i ashpër; ndërkohë, në vend të përpjekjeve për të shuar konfliktin si në Europë, te ne ai tentohet të mbyllet me forcën e kartonave dhe lloj lloj sofizmash ligjorë, duke përfshirë dhe hartimin nxitimthi të drafteve ligjore për Presidentin ; kjo në vend të mbyllë, hap shernaja të reja politike. Veç kësaj, te ne ky konflikt ka një katalog shumë më të gjerë se te vendet e tjera, duke hyrë në çdo qelizë, nga “lufta e dekreteve” te ajo e dekoratave dhe bojkoti ndaj Presidentit për të takuar homologë të vet europianë!!

Ca më keq akoma, te ne demonizohet figura e Presidentit Meta duke iu referuar vetëm ose kryesisht ndonjë mangësie, incidenti dhe deklarimi të tepëruar dhe të panevojshëm. Mirëpo, injorohen qëllimisht aspektet pozitive, roli i tij i vlerësuar nga vetë mazhoranca pas Tërmetit, Pandemisë, në politikën e jashtme dhe shumë të tjera. Ndërkohë, harrohet se pothuajse gjithë mandati i Presidentit Meta ishte apo u imponua si “anomali” ! Veç Tërmetit dhe Pandemisë, azili ka vazhduar me ritme të frikshme, kur BE-ja na caktoi plot 15 kushte për çeljen e negociatave, PD-ja dhe opozita dogjën si askund tjetër mandatet e deputetit dhe bojkotuan zgjedhjet vendore, duke e lënë praktikisht për mbi dy vjet të vetme në pushtet PS-në; kjo e fundit “pushtoi” pothuajse çdo institucion, veç atij të Presidentit të Republikës.

E pra, në këtë mjedis të tej rënduar politik, institucional dhe shoqëror, të kërkosh “normalitet” vetëm nga Presidenca, e cila ka kryesisht peshën e fjalës dhe mesazhit, kjo është e pamundur, madje dhe në vende më të përparuara se i yni.

Si një rast unikal, mazhoranca e “transferoi” konfliktin me Presidentin deri në Komisionin prestigjioz të Venecias, madje në kulmin e COVID – 19!

Presidenti Meta doli praktikisht i fituar në të gjitha çështjet parimore që mbronte! Gjithashtu Venecia u shpreh kundër shkarkimit të tij të kërkuar nga Kuvendi. E megjithatë, ky i fundit, me një ngulmim të pakuptimtë dhe inatçor të Kryeministrit, fill pas fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit, në vend të “një armëpushimi” e shkarkoi atë në mënyrë jo bindëse me procedura urgjente dhe kundrathënëse. Edhe pse ishte e qartë për këdo se vetëm për shkelje, ca më pak të rënda nuk bëhej fjalë ! Ndaj dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë kërkesën e Kuvendit, duke e nxjerrë sërish fitues Presidentin Meta! Këtu, veç sa sipër, ka ndikuar pozitivisht dhe kasta elitare e këshilltarëve presidencialë, me brenda dhe me jashtë, me përvojë dhe integritet të pacënuar !

Së fundi, mesa duket nuk merret sa duhet në konsideratë fakti domethënës se Presidenti Meta është “peshë e rëndë” politike dhe lider karizmatik me përvojë politike 30 vjeçare, po, dhe me dritëhijet e veta të kuptueshme në një vend si i yni; dhjetoriani i majtë i ‘ 90 hyri në “moçalin” politik shqiptar si “ushtar i thjeshtë”, duke i ngjitur si askush tjetër të gjitha shkallët e hierarkisë parlamentare, me 7 mandate deputeti, partiake si ish zv.Kryetar i PS-së dhe lider i LSI-së dhe postet më të larta shtetërore; kësaj “bishe” politike nuk i është dhënë asnjë “dhuratë”, por gjithçka e ka fituar në beteja të ashpra politike, pse jo duke shfrytëzuar dhe ofertat, shanset dhe dobësitë e aleatëve dhe kundërshtarëve politikë. Ish zv.Kryetar i PS-së dhe themelues i FRESH-it emblematik në moshën 23 vjeçare më 1993, bashkë me shokët e vet të idealit, ai kontribuoi si rrallëkush për imazhin dhe njohjen e PS-së jashtë vendit në momente tejet të vështira historike.

/Argumentum.al