Bie varianti shqiptar/ Emigrantët e kapur në Angli dërgohen në Ruanda

Para disa muajsh bëri shumë bujë një projekt i Britanisë së Madhe, i cili synonte të dërgonte në Shqipëri emigrantët që kapeshin duke kaluar Kanalin e Anglisë.

Britania e pranoi se plani është që emigrantët të dërgohen në Shqipëri ose në Ruanda.

Por tani mësohet se Britania ka miratuar marrëveshjen me vendin afrikan.

Sipas Daily Mail, emigrantët e kapur do të dërgohen mbi 5 mijë kilometra larg, në drejtim të Ruandës, me një biletë vetëm për vajtje.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se marrëveshja do të kushtojë 120 milionë sterlina.

“Britanikët kanë votuar disa herë që ne të kontrollojmë kufirin tonë,” tha Boris Johnson.

Zyrtarët besojnë se kjo marrëveshje do pengojë mijëra emigrantë që kalojnë Kanalin me skaf, duke shpëtuar jetë njerëzish.

Britania do të vendosë nëse emigrantët e kapur e meritojnë statusin e azilkërkuesit. Nëse jo, ata do të dërgohen në Ruanda ku do aplikohet një skemë që synon ndërtimin e një jete të re për ta.

Por kritikët e këtij plani thonë se ai është shumë i kushtueshëm. Sipas tyre, kjo do u kushtojë taksapaguesve britanikë më shumë se sa po t’i mbanin në hotelin luksoz Ritz.

Kurse organizatat e të drejtave të njeriut thonë se plani është mizor. Ata druhen se do ketë përdorim dhune, tortura dhe zhdukje personash.

Ruanda njihet për gjenocidin e frikshëm etnik të vitit 1994, kur u vranë mbi 800 mijë banorë Tutsi.