Krimi monstruoz në Roskovec/ Zbardhen detaje të tjera tronditëse

Një ditë pas krimit të rëndë brenda familjes në Roskovec, dy viktimat janë përcjellë për në banesën e fundit në ceremoni të ndara mortore. Merushe Hoxha, 30-vjeçarja, e cila u godit disa herë me thikë nga babai i bashkëjetuesit të saj, u varros nga familjarët në fshatin Suk, ndërkohë që Xhevahir Hoxha u varros në fshatin ku banonte Vidhisht.

Me shumë pak persona të pranishëm, ky i fundit u përcoll në varreza. Djali i tij, Fation Hoxha, nuk është pranuar nga familjarët e 30-vjeçares për të marrë pjesë në kryerjen e riteve të fundit mortore. Fatjon Hoxha ka qenë i pranishëm në ceremoninë mortore të babait dhe jo në atë të Merushes, ndonëse 61-vjeçari nuk e pranonte lidhjen e tij me të renë.

Merushes i është dhënë lamtumira nga familjarët dhe të afërmit, teksa karvanin mortor e kryesonin tre fëmijët e saj me lule në duar. Sipas të afërmve, i riu Fatjon Hoxha ka dashur të shkojë në varrimin e gruas së tij, por ka pasur frikë se ata nuk do ta pranonin, ndërkohë edhe familjarët e tij nuk e kanë lejuar nga një frikë e mundshme hakmarrjes edhe pse djali është njësoj viktimë, si edhe e shoqja.

Nga ana tjetër, të afërm të gruas së vrarë kanë dënuar veprimin e Fatjonit, duke thënë se ai duhej të vinte në varrimin e gruas, sepse ajo për këtë martesë u ndëshkua. “Shumë gabim që nuk erdhi. E vrau për herë të dytë. Ajo për të u vra se po të mos ish Fatjoni, nuk kishte nga ta njihte Xhevahirin”, ka thënë një familjare e 30-vjeçares.

Gjatë ceremoninë mortore pranë banesës së familjes Hoxha në fshatin Vidhisht të Roskovecit, janë vërejtur forca të shumta policie në zonë për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme nga ana e familjarëve të 30-vjeçares, e cila u vra në mënyrë makabre nga Xhevahir Hoxha, raporton Panorama.

Një ditë pas krimit të rëndë, të tjera detaje kanë dalë në dritë rreth vrasjes me thikë të 30-vjeçares, e cila la pas tre fëmijë jetimë nga martesa e saj e parë. Fqinjë të viktimave thonë se kanë dëgjuar të bërtiturat e 30-vjeçares, e cila pak momente para vrasjes dyshohet të jetë konfrontuar fizikisht me 61-vjeçarin, i cili nuk e pranoi asnjëherë lidhjen e saj me të birin, i cili ishte divorcuar me bashkëshorten e tij me të cilën ka një fëmijë të vogël. Ata kanë treguar se ata kanë dëgjuar gruan të ulërinte, por nuk kanë ndërhyrë, duke i konsideruar çështje brenda familjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima Merushe Hazizi ka marrë 3 goditje me thikë në gjoks që i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

Gjithashtu, banorët e zonës kanë thënë se Merushja dhe Fatjoni duheshin dhe për këtë arsye ishin ndarë edhe nga bashkëshortët e parë. Prej kohësh të kërcënuar dhe shpesh kanë përfunduar në dyert e Policisë, por kjo nuk e ka penguar Xhevahir Hoxhën të ndërmerrte krimin e rëndë, duke i marrë jetën nënës së tre fëmijëve, e cila ishte divorcuar për të bashkëjetuar me djalin e tij.

Ka qenë e bija e 61-vjeçarit, ajo që ka zbuluar se të tre kanë qenë me urdhër mbrojtje.

“Të tre kanë qenë me urdhër mbrojtje, Fajtoni, nusja dhe babai. Ai thoshte më kërcënon nusja dhe djali. Fatjoni e mbante mbyllur gjithë kohës, ditën e djeshme babai ka shqyer derën. Ajo nuk arriti të njoftonte Policinë. Babai jetonte te shtëpia tjetër, te dy dhomat, kurse ajo te shtëpia tjetër”, tregoi ajo.

Ndërkohë, fqinja e viktimave ka treguar se problemi i vetëm në familjen Hoxha ishte që Xhevahiri nuk e pranonte ndarjen e djalit të tij me nusen e parë dhe bashkëjetesën me Merushen, e cila vetë kishte qenë e divorcuar dhe kishte tre fëmijë nga martesa e saj e mëparshme.

“Ky është krim i rëndë, kjo që ka bërë personi në fjalë. E kemi komshi. Ajo goca ishte me tre fëmijë, la burrin nga Berati e u lidh me këtë nga Vidhishta. Ai nuk e donte nusen për djalin. Tani, e mirë e keqe e di ai që e pati, unë e njoh si vajzë të mirë, për punëtore, janë të tëra punëtore si motra. Vetëm se problem ishte vjehrri, nuk donte pse ka nusen e parë me djalin 10 vjeç e mori këtë”, tha fqinja.