Kërcënimet bërthamore të Rusisë nëse Suedia dhe Finlanda anëtarësohen në NATO

Rusia është shprehur se nuk do të flitet më për një status jo-bërthamor të Balltikut nëse Suedia dhe Finalanda i bashkohen NATO-s.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, tha se Moska do të përgjigjet nëse kjo do të ndodhte.

"Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Balltikun - ekuilibri duhet të rivendoset," tha ai.

"Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk do të merrte."

Megjithatë, ministri lituanez i Mbrojtjes Arvydas Anusauskas tha se Rusia tashmë ka armë bërthamore në rajonin e Balltikut.

''Ata janë vendosur në enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik që para fillimit të pushtimit të Ukrainës'', tha Anusauskas për agjencinë e lajmeve BNS.

“Kërcënimet aktuale ruse duken mjaft të çuditshme, kur e dimë se, edhe pa situatën aktuale të sigurisë, ata e mbajnë armën 100 km nga kufiri i Lituanisë”, tha ministri.

"Armët bërthamore janë mbajtur gjithmonë në Kaliningrad. Komuniteti ndërkombëtar, vendet në rajon, janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë. Ata e përdorin atë si një kërcënim."

Medvedev tha se pranimi i anëtarëve shtesë nga NATO do t'i jepte Moskës "më shumë kundërshtarë të regjistruar zyrtarisht".

Duke shkruar në Telegram, ai pretendoi se NATO po përgatitej të pranonte Finlandën dhe Suedinë me "procedura minimale burokratike".

Përgjigja e Rusisë duhet të konsiderohet me “pa emocione, me kokë të ftohtë”, vazhdoi ai.

Kryeministrat suedeze dhe finlandeze, Magdalena Andersson dhe Sanna Marin, morën pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi në Stokholm të mërkurën.

Zonja Marin tha se Finlanda ishte gati të merrte një vendim për anëtarësimin në NATO "brenda javësh" pas një debati të gjerë në legjislaturën 200-vendëshe të Eduskunta.