Duka në ‘A Show’: Mundohem të jem bashkëpunues, ja si i kam marrëdhëniet me kryeministrin

Presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në “A Show” përballë gazetarit Adi Krasta në Syri TV, tregoi se si i ka marrëdhëniet me politikën dhe me kryeministrin Rama.  

“Pa diskutim që në mandatet që jam në krye të FSHF-së dikush mund të thotë që kam qenë kontroversal, pasi kam patur kundërshtime me pushtetin. Dikujt mund të mos i ketë pëlqyer qenia ime në krye të FSHF-së.

Në fakt unë nuk jam një njeri konfliktual, mundohem të jem bashkëpunues.

Padyshim që nuk jam aq shumë i përkulur. Mundohem që kritikave apo sulmuese t’u shmangem me sportivitet, pasi është kohë e humbur të merresh me to. Por, ka dhe kritika konstruktive që duhet t’i shënosh, në mënyrë që të përmirësohesh dhe t’i korrigjosh.

Marrëdhëniet e mia me kryeministrin nuk i kam pasur asnjëherë të këqija, por asnjëherë të mira, për arsye të pozicioneve të punës. Jo vetëm me kryeministrin, por unë ofroj marrëdhënie korrekte me çdo partner”, tha Duka.

Ndërkaq, ndërhyrja e politikës në zgjedhjet në FSHF ishte e dukshme dhe presidenti Duka sqaron: “S’kam gjetur asnjë arsye të vërtetë pse Veliaj donte të më hiqte. E kam dëgjuar shpesh që thonë që Veliaj nuk sulmoi nga ana e tij, por i shtyrë. Unë kam takuar dhe me kryeministrin dhe s’më ka thënë diçka të tillë, asnjë arsye, madje më ka përgëzuar për punën që kam bërë gjatë këtyre viteve”.