Gurishta: Besoj shumë te kualifikimi, na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve

Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Partizanin për të zhvilluar mes tyre ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales të Kupës së Shqipërisë.

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta ka dalë sot në konferencë për mediat, ku ka folur për ndeshjen kundër Partizanit që do të luhet të mërkurën në orën 17:45.

Gurishta theksoi se skuadra do japë maksimumin në këtë përballje, që shkodranët e shohin si shpëtimin e ekipit. Mbrojtësi shtoi se ndeshja me Partizanin do jetë shumë e vështirë, kjo sipas mbrojtësit sepse “të kuqtë” në javët e fundit kanë pasur ecuri pozitive.

 “Vijmë nga një moment delikat dhe na duhen të gjitha forcat që të shkojmë në finale. Na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon ekipi. Na duhet ndihma e tifozëve dhe bashkë me tifozët mendoj se kemi mundësi dhe do t’ia dalim ditën e nesërme.”

Sa ju ka munguar skuadra? “Më ka munguar shumë dhe e kam përjetuar shumë në tribunë dhe në stol kur kam qenë, kam dashur që të isha në fushë, por ishte e pamundur sepse dëmtimi më la shumë gjatë jashtë fushës, por nesër do të jem në fushë do të jem aty për ekipin dhe shpresoj që t’ia dalim.”

Përkeqësimi: “Është e vërtetë që u përkeqësua, ndodhën shumë gjëra bashkë. Gjendja psikologjike e ekipit ishte e rënduar. Rezultate jo të mira që nga momenti i humbjes ndaj Tiranës, u përjetua shumë keq në Shkodër dhe ekipi filloi të kishte shumë probleme shumë mungesa. Gjendja fizike ishte e rënduar për shkak të mungesave, por i kemi lënë të gjitha pas dhe jemi fokusuar te ndeshja e nesërme, pasi është e vetmja mundësi e jona që të përsërisim atë të vitit të kaluar.”

Kualifikim brenda 90 minutave apo me shtesë? “Të them të vërtetën nuk e kam menduar as kohën shtesë as penalltitë, unë besoj shumë te kualifikimi dhe jam i bindur që do kualifikohemi. Jam munduar që t’ja imponoj edhe skuadrës këtë besim dhe them se nesër do ta fitojmë ndeshjen. E di që do jetë shumë e vështirë pasi Partizani në këto ndeshjet e fundit është kthyer te ai Partizani i frikshëm e cinik, por duhet shumë besim dhe duhet të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë ekipin në finale, pasi është i vetmi shpëtim për skuadrën.”