Drejtoria u 'shkri' nga korrupsioni, zëvendësohen policët e arrestuar

Në pikën e përbashkët kufitare të Morinës është kthyer normaliteti, ndonëse struktura e policisë kufitare u 'shkri' pas arrestimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre. E gjithë struktura policore e kësaj pike është zëvendësuar e po vijon punën normalisht. E njëjta situatë është edhe me policinë kufitare të Kosovës. Procesi i punës si dhe i hyrjes apo daljes se mjeteve e qytetarëve në dy anët e kufirit është sipas procedurave dhe nuk janë vërejtur probleme apo vonesa të pajustifikuara në kufi.

Struktura e policisë kufitare në Morinë u shkri thuajse e gjitha përfshirë edhe nivelet drejtuese të saj dhe tashmë ndodhen në procedim hetimor. Ditën e premte u shoqërua trupa policore e shërbimit si dhe ato të ndërresës për shkak të një hetimi dyvjeçar dhe shkeljet e vërejtura nga përgjimet e SHÇBA dhe SPAK, bashkë me IPK e Kosovës.

Në Gjykatën e Posaçme dje është zhvilluar seanca gjyqësore për 34 urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre. 32 prej tyre janë efektivë e punonjës të kufirit në Kukës, dhe dy të tjerë qytetarë. Në përgjimet e SPAK, tregohen raste ku punonjësit u bëjnë presion qytetarëve për t'u dhënë para. 

Për 16 prej tyre u caktua në mungesë arrest në burg, arrest në shtëpi për 12 të tjerë, për 4 efektivë pezullim nga detyra si dhe masa arrest shtëpie për dy qytetarë.