‘Interi favorit për titullin kampion,’ Allegri: Dybala? Çdo fillim e ka një fund

Juventusi fitoi me përmbysje ndaj Cagliarit në stadiumin “Sardegna Arena” me rezultatin 1-2. Pas këtij suksesi në mikrofonat e “SKY Sport” është shfaqur trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri, i cili komentoi këtë triumf të “Zonjës së Vjetër”:

Kritikat – “Nuk më pëlqen të humbas, preferoj kritikat kur luajmë keq, por ne dime të fitojmë. Që pas humbjes ndaj Interit flitet vetëm për ta që do të fitojnë titullin kampion. Ata që përcaktojnë rezultatet jeni ju. Performanca mbetet, por gjykimi ndryshon rezultatin me të drejtë. Mua më bëhet qejfi që dëgjoj kritika. Mendoj si futboll italian kemi shkuar pas futbollit të Guardiolës së 15 viteve më parë, por edhe vetë Guardiola ka evoluar gjatë viteve.”

Dybala – “Ka histori që lindin dhe përfundojnë dhe kjo është pjesë e jetës. Klubi ishte i qartë, që do të vlerësohen gjërat së bashku. Dybala është duke u impenjuar shumë pavarësisht dëmtimeve që ka pasur. Do të na japë shumë edhe gjatë kësaj pjese të mbetur të sezonit. Është duke u sjellë si një profesionist i madh.”

Humbja ndaj Interit – “Të dielën e kaluar ne humbëm një ndeshje direkte që do të na kishte lejuar të ishim në lojë për titullin kampion, në fakt Interi mbetet favorit për fitimin e titullit.”, përfundoi Massimiliano Allegri.