Rama si socialistja nga Berati: Bashkimi i PS-së i duhet më shumë Shqipërisë se sa çmimet

Kryeministri Edi Rama i ka befasuar të gjithië me një deklaratë të tij në lidhje me situatën që po përballet vendi ynë sa i përket rritjes së çmimeve.

Gjatë fjalës së tij në Kongresin i socialistëve, Rama theksoi se bashkimi vëllazëror i PS-së i duhet më shumë në këto momente Shqipërisë, se sa çmimet.

Njësoj si ajo socialistja nga Berati, e cila u bë virale pasi tha se "ne drita s'po ju kërkojmë, ne ujë s'po ju kërkojmë, ne bukë s'po ju kërkojmë. Vëllezër! Ju kërkojmë vetëm këtë: Mos kemi përçarje me njëri- tjetrin", edhe Rama e bëri komentin befasues në sallën e Pallatit të Kongreseve.

“Një bashkim vëllazërimi për sigurinë, përkujdesjen dhe zhvillimin e familjes tonë kombëtare. Kjo është koha që PS të bëhet hapësira e dëgjimit të ndërsjelltë dhe e mbështetjes reciproke mes shqiptarëve. Nuk kemi nevoje që të presim një fatkeqësi, një tërmet, pandemi dhe të urojmë të vazhdojë lufta, për të kuptuar se çfarë është me rëndësi kur bëhemi bashkë. Ne këtë do e bëjmë kulturë. Kulturë në sjellje, kulturë në vendimmarrje dhe në veprim. Kjo i duhet sot më shumë se kurrë Shqipërisë, se sa çmimet".

"Më besoni se i duhet më shumë se sa çmimet. Kjo i zbut edhe çmimet. I zbut më shumë se sa çdo llogari që lidhet me paratë. Kush tjetër mund ta bëjë këtë më mirë se sa PS?”, tha Rama.