‘PD duhet të shkojë në djall’/ Rama sulmon drejtësinë: Dënuan zyrtaren time pse mori 1 arkë peshk

Fjalimi i gjatë i Edi Ramës në Kongresin e PS, u shoqërua nga duartrokitje të vazhdueshme. Rama lavdëroi veten për minuta të tëra, duke thënë se në vend do ishte bërë qameti nëse nuk do ishte ai kryeministër.

Kreu i PS-së nuk e ka fshehur ndenjën e krenarisë për faktin që qeveria e tij shpërndau shtëpi falas për njerëzit e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës.

Rama u soll sikur paratë e këtyre shtëpive kanë dalë nga xhepat e tij. Ai tha se edhe shtetet më të pasura s’e kanë bërë këtë gjë.

Ndër të tjera, Rama sulmoi drejtësinë në vend, duke u ankuar se i kanë dënuar një zyrtare pse mori një arkë me peshk.

“Drejtësia e re ende po vonon, apo po ngurron, nuk e di akoma këtë, që të hyjë në kraterin e vullkanit të padrejtësive 30-vjeçare, ndërkohë që dënon një zyrtar të lartë për një arkë peshk në këmbim të një punësimi të pakryer,” tha Rama.

Kryeministri tha se nuk i vjen aspak keq për atë që po ndodh me PD-në dhe opozitën.

“PD duhej të kishte shkuar në djall shumë kohë më parë,” tha Rama.

“Ne duhet të jemi të shqetësuar jo se na mungon opozita, por se nuk duam të biem në kurthin e atij që nuk është i motivuar të luftojë,” tha Rama.

Shqipërinë pa PD-në e përfytyroj me kënaqësi, por Shqipëria nuk mund të përfytyrohet pa PS-në, tha Rama.