VIDEO-SYRI TV/ Në Memaliaj, aty ku kryebashkiaku var një fshat të tërë përmbi lumë

Jeta e dhjetëra banorëve të fshatit Kallëm të Memaliajt, varet çdo ditë në një kavo çeliku. Kjo e fundit shërben për të mbajtur një teleferik të improvizuar, që mundëson kalimin e lumit Vjosë, pasi për banorët e fshati nuk ka një urë që do t`u mundësonte atyre lëvizjen. Banorët thonë se shpesh kanë ndodhur dhe aksidente, ndërkohë që deri më sot premtimet për ndërtimin e urës kanë mbetur në letër. Bashkia e memaliajt drejtohet nga socialisti Gjolek Guci.

Nga SYRI TV.

Prej 20-vjetësh, banorët e këtij fshati rrezikojnë çdo ditë jetën duke hipur në një teleferik, pasi nuk kanë një urë, e cila do t’u mundësonte lëvizje të sigurt banorëve, për të kryer punët e tyre të përditshme në qytetin e Memaliajt.  Shpesh herë, siç tregojnë vetë banorët, teleferiku është prishur, ndërsa shumë qytetarë kanë mbetur në mes të lumit, duke rrezikuar jetën.

Kërkesat për ndërtimin e një ure kanë qenë të vazhdueshme, e po aq të shumta kanë qenë dhe premtimet, sa herë ka pasur fushata elektorale. Por, a është ndërtuar ura?

Ura nuk është ndërtuar, dhe nuk dihet nëse një ditë do të ndërtohet, ndërsa çdo ditë, jeta e dhjetëra banorëve, është në besimin e kësaj kavoje çeliku, që aq sa u zgjidh hallin, po aq u shton rrezikun.