Presidenca i përgjigjet Erion Veliajt: Rrugaç i organizatës kriminale të inceneratorëve

Zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi, reagoi pasi kryebashkiaku Erion Veliaj e sulmoi presidentin Ilir Meta me fyerje në ditën e kongresit socialist.

"Në qoftë se Ilir Meta kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur, duke i shpallur luftë Amerikës, na duhet dikush që i shëron këto plagë dhe ne sillemi si një shtet serioz," deklaroi Veliaj.

Kurse Blushi e quajti Veliajn një rrugaç të Organizatës Kriminale të inceneratorëve, duke paralajmëruar konferencë për shtyp nga Ilir Meta.

"Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive.

Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi," shkruan Blushi.