OKB: Lufta në Ukrainë solli një kërcim gjigant në çmimet botërore të ushqimeve

Lufta në Ukrainë i ngriti me  një "hap gjigant" çmimet e ushqimeve muajin e kaluar, thonë Kombet e Bashkuara.

Rritja e kostove për produktet bazë si drithërat, vaji vegjetal dhe sheqeri janë zbuluar në Indeksin e Çmimeve të Ushqimit të OKB-së që gjurmon mallrat. Ato janë në nivelin më të lartë që nga fillimi i regjistrimeve 60 vjet më parë, duke u kërcyer me gati 13% në mars, pas nivelit të lartë të shkurtit.

Ukraina është eksportuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, që do të thotë se kostot e alternativave janë rritur gjithashtu. Është gjithashtu një prodhues i madh i drithërave si misri dhe gruri.

Çmimi i vajrave bimore u rrit me 23%, ndërsa drithërat u rritën me 17%. Sheqeri u rrit me 7%, mishi u rrit me 5%, ndërsa qumështi - i cili është prekur më pak nga lufta - vetëm 3%.

Çmimet e mallrave ushqimore ishin tashmë në nivelet më të larta të 10 viteve para luftës në Ukrainë sipas indeksit për shkak të problemeve globale të korrjes.

Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë paralajmëroi muajin e kaluar se çmimet e ushqimeve mund të rriten deri në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, duke rritur rrezikun e kequshqyerjes në të gjithë botën.

OKB ka ulur projeksionin e saj botëror të grurit për vitin 2022 nga 790 milion ton në 784 milion, për shkak të mundësisë që të paktën 20% e të mbjellave të Ukrainës të mos korren për shkak të "shkatërrimit të drejtpërdrejtë".

Kriza e kostos së jetesës po shqetëson politikanët dhe ka ndezur paralajmërime për trazira sociale në të gjithë botën.