Përse rubla e Vladimir Putinit po ecën papritur sërish mirë?

Nga Robert Becker, BILD

Pavarësisht sanksioneve dhe përjashtimit të pjesshëm nga SWIFT, rubla ruse po rimëkëmbet dukshëm. Në fakt, ajo madje po rritet sërish në nivelet e paraluftës.

Në të kundërt, dollari ra në 79 rubla mëngjesin e të enjtes. Kursi i këmbimit është afërsisht në nivelin e 78 rublave, menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Megjithatë kjo nuk është një shenjë se ekonomia ruse po i përballon sanksionet e vendosura nga SHBA dhe aleatët e saj, tha Sekretarja e Thesarit në SHBA, Janet Yellen. Masat nga qeveria ruse dhe banka qendrore për të kufizuar rrjedhjen e kapitalit e kanë deformuar tregun e rublës.

Edhe analistët i referohen normës së lartë të interesit bazë të bankës qendrore, kontrolleve të rrepta të kapitalit dhe suficiteve në bilancin tregtar për shkak të eksporteve ende të mundshme të energjisë.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt, kursi i këmbimit të rublës ra, ndonjëherë deri në 177 rubla pagueshin për një dollar. Megjithatë, javët e fundit kursi është rikuperuar shpejt.

Me sanksionet e vendosura nga vendet e industrializuara perëndimore ndaj bankës qendrore ruse, rubla nuk konsiderohet më një monedhë e tregtueshme lirisht. Megjithatë, në tregun valutor monedha tregtohet me kufizime, gjë që lejon një kurs këmbimi të rublës.

-Eksperti i monedhës, Tatha Ghose nga Commerzbank sheh një arsye për rikuperimin e rublës te normat e larta të interesit në Rusi. Banka qendrore e vendit dyfishoi normën bazë të interesit në 20 përqind në fund të shkurtit.

-Gjithashtu, eksperti i Commerzbank i referohet edhe kontrolleve strikte të kapitalit. Banka qendrore ka kufizuar eksportet valutore.

-Po ashtu, oligarkët dhe korporatat e sanksionuara nuk mund të transferojnë para nga Rusia në llogaritë bankare të huaja.

-Analistët i referohen edhe bilancit tregtar rus. “Bilanci tregtar duhet të përmirësohet pas sanksioneve,” tha eksperti i Commerzbank, Ghose. Sepse, ndërsa eksporti i energjisë ruse si nafta apo gazi është ende i mundur, importi i mallrave perëndimore është kufizuar ashpër nga sanksionet.