VIDEO/ Meta në Çim Peka Live: Pas 25 korrikut, dimension i ri i opozitës! Opozita e Bashës e shitur dhe e kapur

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi gjatë emisionit Çim Peka Live se pas 25 korrikut do t’i jepte një dimension të ri opozitarizmit në Shqipëri. Kreu i Shtetit e cilësoi si të shitur dhe të kapur opozitën e Lulzim Bashës. Ai i konsideroi si farsë negociatat e nisura për Presidentin e ri dhe tha se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet një person në përputhje me gustot e kryeministrit Rama. 

SYRI TV

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi se pas 25 korrikut do t’i japë një dimension të ri opozitarizmit në Shqipëri.

I ftuar në emisionin Çim Peka LiveSyri Televiszon, kreu i shtetit foli për aksionin e tij politik pas lënies së detyrës së lartë.

Në 25 korrik marr përsipër t'i jap një dimension të ri opozitarizmit në Shqipëri. 

"Do ketë një ridemensionim dhe përshkallëzim të veprimit opozitar, për këtë të jeni të sigurt dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse duhet një vullnet i ri politikë në Shqipëri për ndryshime të vërteta. Për të zgjuar pikërisht qytetarin shqiptar dhe për t'i thënë atij që është ai Zot i këtij vendi", u shpreh Meta.

Kreu i shtetit u tregua shumë kritik ndaj lidershipit të Partisë Demokratike gjatë kohës kur kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha.

"Opozita ishte e shitur. Si mund të lërë opozita mandatet, kur një vit para u thash, ku do ikni? U kam thënë edhe tjetrën, pse mo me këtë kecin do ta përmbysni Edi Ramën? Ua kam thënë edhe këtë". 

Presidenti Meta i konsideroi si farsë negociatat e nisura për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Ai deklaroi se pasues i tij në Presidencë do të jetë një person në përputhje me gustot e Edi Ramës.

"Nuk shoh asnjë mundësi që opozita aktuale për shkak të përbërjes t'i imponohet mazhorancës por shohim që ende mazhoranca po i imponohet një pjese të mirë të opozitës për të mbajtur peng veprimin opozitar dhe përshkallëzimin e këtij veprimi në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe qytetarëve që cënohen çdo ditë. I gjithë ky proces më duket një farsë. Jam kundër farsave dhe opozita në tërësi në gjithë vitet e fundit është bërë pjesë e një farse opozitare".

Presidenti Meta tha se negociatat synojnë spostimin e vëmendjes nga problemet reale të vendit.

Zoti Meta tha se shpresonte që Presidenti i ardhshëm do të respektojë dhe do të garantojë Kushtetutën.