‘Dora e Zotit’/ Del në ankand fanella me të cilën Maradona shënoi golin historik ndaj Anglisë në ‘Botërorin 86’

Një trashëgimi që mund të nxirret në ankand për shifrën e 4 deri në 6 milionë paundë, pra për të prekur apo kaluar 7 milionë euro.

Ky është vlerësimi që shfaqet në faqen e “Sotheby’s” për fanellën e veshur nga Diego Armando Maradona në Botërorin 1986, në çerekfinalen 2-1 kundër Anglisë.

Po flasim pikërisht për fanellën që legjenda argjentinase e futbolli kishte veshur në ndeshjen e “Dorës së Zotit”, ku dhe shënoi të ashtuquajturin “gol i shekullit”.

Ajo ndeshje u fitua nga argjentinasit 2-1 dhe u luajt në stadiumin “Azteca” në Meksikë.

Fanella me numër 10 e “Seleccion”, e veshur nga “Pibe de Oro” është pjesë e koleksionit të Steve Hodge, ish-mesfushorit të kombëtares angleze, i cili në fund të asaj ndeshjeje mundi ta ndërronte uniformën e tij me atë të Maradonës.

“Unë kam qenë pronari krenar i këtij artikulli për më shumë se 35 vite. Ka qenë privilegj të luaja kundër një prej futbollistëve më të mëdhenj dhe më madhështor të të gjitha kohërave”, – tha Hodge.

Fanella iu dhurua Muzeut Kombëtar të Futbollit të Mançesterit për t’u ekspozuar. “Sotheby’s” nga ana e tij do ta ekspozojë reliken në zyrën e vet në Londër (New Bond Street) gjatë periudhës së shitjes në internet.

Rekordi për një fanellë të shitur në ankand u regjistrua në qershor 2019. Ky rekord i takon shitjes së fanellës së Babe Ruth për 5.64 milionë dollarë. George Herman (“Babe Ruth”) ishte një lojtar profesionist amerikan bejsbolli, karriera e të cilit në “Major League Baseball” u shtri në 22 sezone, nga viti 1914 deri më 1935.