Higuain mohon fjalët e të atit

“Nuk do të tërhiqem nga futbolli, babai im duhet ta ketë keqkuptuar”.

Gonzalo Higuain mohon fjalët e prindit, sipas të cilit djali ishte një hap larg nga “varja e këpucëve në gozhdë”.

Ai e bëri këtë në një konferencë shtypi për përballjen mes Inter Miamit dhe New England Revolution në MSL.

Të mos kish qenë babai i tij, me siguri Gonzalo do ta kishte etiketuar gënjeshtër atë që nxori “sekretin”.

Ish-sulmuesi i Juventusit, Milanit, Napolit dhe Realit të Madridit sqaroi: “Mendoj se babai im e ka keqkuptuar. Unë kurrë nuk i thashë se do të tërhiqem. Ai e keqkuptoi, kjo është ajo që ndodhi. Por nuk ka të bëjë me realitetin.

Jam i fokusuar në ekipin tim dhe do të respektoj kontratën. Ajo që mund të thotë babai apo persona të tjerë nuk ka lidhje me mua. Kur të vijë koha, unë do të jem i pari që do ta komunikoj tërheqjen”.

Fillimi i sezonit për Inter Miamin e David Beckhamit ishte asgjë më pak se katastrofik: një barazim dhe katër humbje në 5 ndeshjet e para të Konferencës Lindore.

Higuain ka luajtur gjithmonë, duke shënuar në humbjet e dy ndeshjeve të fundit kundër Cincinnatit dhe Houston Dinamos.