VIDEO-SYRI TV/ A ka prona oligarkësh rusë në Shqipëri? Flet Ulsi Manja

Në fundin e mbledhjes së qeverisë, disa prej ministrave kanë dalë në konferencë për mediat, ku kanë lexuar dhe vendimet e marra.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u pyet nga gazetarët nëse Shqipëria ka një listë të oligarkëve rusë që kanë prona në Shqipëri. Në përgjigje, ai tha se nuk ka ende një listë të tillë dhe se qeveria është e gatshme që të çojë deri në fund sanksionet.

 “Faleminderit për pyetjen, Shqipëria e ka dënuar që në fillim agresionin rus në Ukrainë, dhe ka vendosur sanksione në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare, është proces që po e udhëheq Ministria e Jashtme, jemi në bashkëpunim të ngushtë me aleatët. Nëse do të kemi një listë të personave të shpallur si mbështetës të agresionit rus, ne do të zbatojmë deri në fund angazhimet që kemi marrë përsipër”, u shpreh Manja.

Ministri njoftoi po ashtu edhe 3 vendime që janë marrë, që i përkasin dikasterit që ai drejton, që nga niveli i pagave për njësinë antikorrupsion, deri te trajtimi i të paraburgosurve dhe përkthyesit zyrtarë për personat që komunikojnë përmes shenjave.

Manja: Sot kaluam 3 vendime të rëndësishme për Ministrinë e Drejtësisë, një për njësinë antikorrupsion, miratimin e nivelit të pagave në disa agjenci shtetërore të njësisë anti-korrupsion. Është lajm i mirë për njësinë.

I dyti po kaq i rëndësishëm, ndryshimi i rregullores së burgjeve, është dokument që garanton mirëfunksionimin e sistemit të burgjeve dhe respekton të burgosurit e ata që janë në paraburgim.

Edhe rekomandimet e organizatave kombëtare e ndërkombëtare kanë gjetur vend në sistemin e burgjeve. Rregullore bashkëkohore, që e afron më shumë vendin me BE-në.

Dhe së fundmi, kriteret dhe procedurën për trajtimin e përkthyesit zyrtarë të personave që komunikojnë përmes shenjave.