Majami, banorët urdhërohen të evakuohen nga ndërtesa afër pallatit që u shemb

SHBA - Një ndërtesë e dytë u urdhërua të evakuohet në North Miami Beach që nga shembja e Champlain Towers South, qershorin e kaluar në Surfside aty pranë, tek e cila u vranë 98 persona.

Banorët e një ndërtese apartamentesh pesëkatëshe në North Miami Beach u urdhëruan të evakuoheshin pasi zyrtarët e konsideruan ndërtesën "strukturalisht të pasigurt" gjatë procesit të saj 50-vjeçar të ricertifikimit, thanë zyrtarët.

Banorët e Bayview 60 Homes u urdhëruan të dilnin të hënën nga zyrtarët e qytetit. Kjo është ndërtesa e dytë e urdhëruar e evakuuar në qytet që nga shembja e Champlain Towers South qershorin e kaluar në Surfside aty pranë, e cila vrau 98 njerëz.

Godina, e cila u ndërtua në vitin 1972 dhe ka 60 apartamente, i ishte nënshtruar riparimeve që nga korriku si pjesë e procesit të ricertifikimit, tha qyteti.

Një inxhinier që punonte në ndërtesë i dërgoi një email pronarit të ndërtesës duke thënë se struktura nuk ishte e sigurt dhe banorët duhet të evakuoheshin menjëherë, tha menaxheri i qytetit, Arthur Sorey.

Inxhinieri e dërgoi në email të premten vonë, por pasi ishte pas orarit të punës, zyrtarët nuk e panë atë deri të hënën, tha menaxheri Sorey.  Sapo e panë, ata kontaktuan pronarin e ndërtesës dhe dolën me një plan për t’i evakuuar të gjithë.

"Ne folëm me pronarin dhe e këshilluam që  duhet ta kishin mbyllur ndërtesën," tha Sorey. "Por pasi morëm informacionin, dolëm dhe bëmë atë që duhej të bënim për të mbrojtur jetën e banorëve të North Miami Beach."

Ai tha se banorët mund të ktheheshin në apartamentet e tyre të martën për të marrë sende më të vogla dhe të hiqnin mobiljet duke filluar nga e premtja. Zyrtarët do ta kufizojnë numrin e njerëzve në ndërtesë, shtoi ai.

Austin Harper, i cili ka tre vjet që jeton në katin e gjashtë, po i hiqte gjërat e tij të martën në mëngjes. Ai tha se shumë të moshuar dhe familje jetojnë në ndërtesë dhe ka vetëm një ashensor që përdoret nga të gjithë banorët.

“Unë që jam më shumë i jetës beqare,  mund të largohem lehtë. Disa njerëz kanë jetuar këtu për 10 vjet, megjithatë, tha Harper. "Por në fund të fundit kjo ka të bëjë me sigurinë për shumë të moshuar dhe për veten time."

Banorëve iu dhanë kupona treditor hotelesh dhe Miami-Dadeless Trust dhe Kryqi i Kuq Amerikan do t'i ndihmojnë me strehimin nëse kanë vështirësi në gjetjen e akomodimit, tha kryebashkiaku, Anthony DeFillipo.

Pronari i ndërtesës nisi kthimin e qirave  dhe të depozitave të  garancisë.

“Një gjë për t'u theksuar është qiratë në këtë ndërtesë që sapo u mbyll janë midis 1500 dhe 1900 dollarë në muaj. Dhe nëse dini diçka për Floridën e Jugut, qiraja tani është shumë e lirë dhe e përballueshme, " tha menaxheri Sorey.