SYRI TV/ Bisedë me Faikun, Kozmanë për vështirësitë në mbjelljen e grurit dhe misrit këtë vit

Shtohet numri i fermerëve që mbjellin sipërfaqe toke me kulturat e grurit e të misrit në zonën e Fierit, ndërkohë që ata që i kanë kultivuar një vit më parë, i kanë pakësuar sipërfaqet e mbjella.

Nga SYRI TV

Të dhënat e fermerëve të zonës së Fierit bien ndesh me ato  informacione që jepen nga shitësit e pikave të farërave në lidhje me sipërfaqet e tokave të mbjella për vitin  2022 me kulturën e grurit e të misrit.

Nga njëra anë fermerët pohojnë se kanë ulur ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me këto kultura ndërsa shitësit pohojnë se kanë shitur më tepër se një vit më parë.

Faik Daka, fermer i zonës së Semanit, në bisedë me gazetarin Xhemil Beharaj të SYRI TV, pohon se për vitin 2021 kishte mbjellë me misër 2.2 ha tokë, ndërsa për vitin  2022 do të mbjellë 5 dynym tokë. Sipas tij shkak është rritja e çmimit të pesticideve  dhe i naftës.

“Janë dyfishuar çmimet çka ka bërë që dhe tokat të abandonohen; edhe me qira s’i merr njeri sepse ka rritje çmimesh si në pesticide, në naftë e përgatitje toke, nuk të leverdis më”, thotë Faiku

Kozma Ndreko, shitës farërash bujqësore pohon ndryshe. Ai thotë se për këtë vit, krahasuar me një vit më parë ka shitur 1,5 herë më shumë misër dhe gati 2 herë më shumë grurë për të mbjellë.

Ndreko thotë se sipërfaqja e mbjellë me grurë apo misër është shtuar me gati 20% deri 30% më shumë.

Nga biseda me të mësojmë se shkaku i rritjes së sipërfaqes është se është rritur numri i fermerëve që kryejnë mbjellje toke me grurë, misër, elb etj.

Kozmai tregon se krahasuar me një vit më parë, çmimi i një kuintali grurë apo misër është rritur 20%, ndërsa për imputet bujqësore janë rritur dyfish e më shumë.

Rritja e çmimit deri në dyfishim të inputeve bujqësore ka ndikuar tek shëndeti i bimës, thekson Kozmai, sepse fermeri nuk hedh sasinë e duhur të uresë, që të ketë bimë të shëndetshme e të rrisë rendimentin në prodhim.