Patriarku Kirill mbron luftën/ Ukraina zbulon dhomën e torturave

Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill ka dalë sërish në mbrojtje të luftës së Rusisë në Ukrainë, ndonëse është shprehur se vendi i tij e do paqen.

“Jemi një vend që e duam paqen dhe nuk kemi asnjë dëshirë për luftë. Por e duam vendin tonë dhe jemi gati ta mbrojmë atë, ashtu siç e bëjnë vetëm rusët”, tha Kirill.

Sipas kreut të kishës ruse, bota në këto momente është nën ndikimin e një force shumë të madhe që i kundërvihet asaj të popullit rus.

“Duhet të jemi shumë të fortë. Kur them ne, nënkuptoj në radhë të parë forcat e armatosura, por jo vetëm ata. I gjithë populli ynë duhet të zgjohet”, përfundoi patriarku.

Ndërkohë dalin në dritë detaje mbi masakrën e trupave ruse në Bucha të Ukrainës, ku deri në këto momente raportohet se 410 civilë janë vrarë në mënyrën më brutale dhe pa asnjë motiv.

Ushtria ukrainase raporton se ka zbuluar një dhomë torturash në qytetin e vogël pranë Kievit, të cilën trupat ruse e kanë përdorur për krimet e tyre monstruoze. Brenda saj u gjetën trupat e pajetë të 5 civilëve, të cilët ishin me duar të lidhura dhe shenja të dukshme dhune.

Dhoma e frikshme e torturave u gjet në katin e nëndheshëm të një spitali për fëmijë të quajtur “Radiant”.

Sipas të dhënave paraprake, civilët në Bucha u vranë gjatë tërheqjes së trupave ruse nga Kievi dhe për këtë ngjarje reagoi i gjithë komuniteti ndërkombëtar, i cili e konsideroi ngjarjen si gjenocid dhe krim lufte.

Por Moska i mohon kategorikisht këto akuza, duke thënë se pamjet e shpërndara në rrjetet sociale janë pjesë e propagandës së Perëndimit me në krye SHBA për të rritur më tej frymën kundër Rusisë.