VIDEO-SYRI TV/ U grabit dhe u vra, dyshimet se kujt i përkasin eshtrat në Laç
Ndërsa nga hetimet ende nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me eshtrat e gjetura në zonën e Fushë Kuqes, nga të dhënat paraprake mendohet se i përkasin një të riu.
Janë të shumtë personat që janë të zhdukur në këtë zonë, por aktualisht banorët kanë nisur të flasin për zhdukjen e një adoleshenti 6 vite më parë.
Nga të dhënat dyshohet se eshtrat dhe kafka i përkasin 16-vjeçari Mariglen Gjonaj (Huba) të zhdukur para 6 vitesh në këtë zonë. Ka dyshime se i riu mund të jetë grabitur dhe më pas është vrarë pasi mbante me vete sende me vlerë marramendëse.
Do të jetë analiza e ADN-së ajo që do të verifikojë nëse bëhet fjalë për këtë shtetas apo jo. Prokuroria e Kurbinit aktualisht vijon hetimet. Eshtrat dhe kafka e gjetur, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime shkencore.
Në dukje, eshtrat janë të hershme dhe moshë e re, por pritet që ekzaminimet të zbulojnë më tepër detaje.