Ekzekutimi i Iljaz Çalit/ Vrasja 'identike' e dy biznesmenëve të kromit

Ekzekutimi me armë zjarri brenda makinës së tij një ditë më parë e Iljaz Çalit mbetet ende e paqartë dhe e mjegull, ndërsa ende nuk ka autor për këtë krim.

Iljaz Çali kishte një biznesi kromi. 37-vjeçari rezultonte të kishte një biznes të përpunimit të kromit që prej janarit 2011, ku disponon 50% të aksioneve në kompani Çali-Metal. Kompania ushtron aktivitet nga një zyrë në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, dhe 50 për qind te aksioneve i zotëron i vëllai Zeqir Çali.

Koincidencë në këtë histori është se në të njëjtën ditë më 4 prill të 2014, atij i kanë varë mikun e ngushtë, Gjin Nika, i cili gjithashtu kishte edhe një biznes kromi, ndërsa dyshohej se ishte edhe vrasës me pagesë. Pistat e hetimit për ekzekutimin e Iljaz Çalës janë ajo e larjes së hesapeve, por edhe ajo e konfliktit për biznesin e kromit.

I dyshuar si autor i disa vrasjeve për kromin e Bulqizës dhe plagosje, por asnjëherë i dënuar për to, 35-vjeçari Gjin Nika u qëllua me 30 plumba automatiku bashkë me mikun e tij, Fabio Xhunga, 33 vjeç. Dy shokët po ktheheshin mbrëmjen e së enjtes nga Rinasi, ku kishin qenë në një lokal me të njohur të tyre, drejt Tiranës. Ata ndodheshin në një motor “Yamaha” me targë AA441 dhe po kalonin pranë urës së Tapizës, në afërsi të fshatit Qerekë kur u qëlluan për vdekje. Sipas policisë, Nika dhe Xhunga u qëlluan nga një makinë, nga dy lloj armësh, duke i lënë të vdekur në mes të rrugës nacionale.

Njoftimi për dy viktimat në rrugën Fushë Krujë-Tiranë u dha nga kalimtarë të rastit, duke dyshuar se bëhej fjalë për një aksident. Kur policia mbërriti në vend zbuloi se viktimat ishin ekzekutuar në një atentat dhe një prej tyre ishte Gjin Nika, liruar nga burgu rreth 1 muaj më parë, ku qëndronte për një plagosje. 

Edhe njoftimi për Çalin u bë pas dyshimeve se kishte pësuar aksident, por më pas u zbulua se ishte vrarë.

Iljaz Çali ka qenë duke lëvizur në autostradë në anën e shpejtësisë, ndërsa makina e autorëve i ka dal paralel dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Mjeti 'Land Rover' që po udhëtonte Çali ka ecur për rreth 80 apo 100 metër dhe ka përplasur trafik-ndarësen.

Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë dhe dosja ende nuk është referuar në prokurori. Gjithashtu në makinën e viktimës 'Land Rover' nuk është gjetur armë apo sende të tjera të paligjshme.

Vrasja ndodhi mbrëmjen e djeshme pranë  kthesës së Rinasit, ku Iljaz Çali, 37 vjeç u ekzekutua me armë zjarri teksa po lëvizte me mjetin e tip "Land Rover"  me targa  AB 988 AS.  

Trupi i pajetë u gjet brenda mjetit i vetëm,  por nuk përjashtohet mundësia që në mjet të ketë qenë edhe një person tjetër, për shkak se dera e pasagjerit ka qenë e hapur. Për këtë policia ka nisur hetimet dhe kontrollet në spitale për të plagosur.