VIDEO-SYRI TV/ Korçë, fusha e mbetjeve vatër infeksionesh, kullosin derrat dhe ...

Ish-fusha e vjetër e grumbullimit të mbetjeve urbane në Korçë është kthyer në burim infeksioni për banorët, për shkak se në të konsumojnë mbetje kafshë shtëpiake. Bashkia e Korçës pretendon se fusha është e izoluar dhe nuk mund të futet askush, por grupi i xhirimit i Syri Televizion arriti të futej brenda saj, duke sjellë pamje që tregojnë katastrofën mjedisore që përbën ky landfill.

Nga SYRI TV

Ky është vendgrumbullimi i vjetër i mbetjeve urbane në qytetin e Korçës, i cili prej kohësh nuk është më funksional, pasi mbetjet e qytetit dërgohen në landfillin e Maliqit, i cili është financuar nga qeveria gjermane, nëpërmjet KFV-s. 

Por, fusha e vjetër e grumbullimit të mbetjeve vijon të mbetet e pa rehabilituar, duke u kthyer në kërcënim për jetën e banorëve të zonës. Përveç ndotjes së shkaktuar nga dekompozimi i mbetjeve, siç shihet dhe nga pamjet, fusha e mbetjeve është kthyer dhe në vend ushqimi për derrat, të cilët më pas konsumohen nga qytetarët.

SYRI TV, iu drejtua bashkisë së Korçës me një kërkesë për informacion, e cila u përgjigj duke pranuar se fusha e mbetjeve ende nuk gjetur dritën jeshile për rehabilitimin dhe mbylljen përfundimtare të saj.

Bashkia Korçë ka në projekt rehabilitimin e fushës së ish landfillit, por jemi në pritje të një financimi nga KFV, e cila ka mbështetur edhe krijimin e landfillit të Maliqit, i cili rezulton si një sukses, duke qenë fusha e parë modern dhe me standarde Europiane në Shqipëri.

Zona është e rrethuar dhe e survejuar nga një roje i punësuar për të kryer këtë funksion. Dhe nuk ka asnjë mundësi që dikush të hyjë brenda këtij territori.

Por duket se pretendimi i fundit i Bashkisë Korçë nuk qëndron, pasi siç treguam më sipër, grupi i xhirimit i SYRI TV arriti të futej lehtësisht brenda landfillit, duke filmuar gjendjen aktuale të tij. Madje, nga pamjet duket qartë, se në landfill hidhen ende mbetje urbane, të cilat dallohen nga mbetjet e vjetra, pasi nuk janë të dekompozouara.