Vokshi: Bllako mori garanci nga Rama për të mbyllur gojën siç ndodh në ligjet mafioze

Mazhoranca ka "larë" duart me ish-deputetin socialist Alqi Bllako për sa i përket çështjes së incineratorëve. Kryeministri Rama ka ritheksuar edhe një herë se përgjegjësia është individuale për çdo person që përveç punës së shteti bën edhe punën e xhepit

Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Albana Vokshi në një intervistë në Ora News u shpreh se kryeministri mban përgjegjësi në përzgjedhjen e ministrave.

Vokshi: Ka tashmë disa ministra dhe deputetë në burg dhe po hetohen për afera të ndryshme nga më të mëdhatë korruptive. Ne sot përcollëm shqetësimin se po tentohet që të fshihen disa aspekte apo një pjesë e korrupsionit të një afere që mund të konsiderohet ndër më të mëdhatë në vitet e fundit. Janë më shumë se 400 milionë euro të programuara dhe nëse ecin me këtë ritëm shuma do jetë shumë më e madhe nëse nuk do ketë reagim nga ana e SPAK-ut. Është një aferë shumë e madhe, janë 430 mln euro të programuara për të shkuar te klientët e Edi Ramës dhe nëpërmjet klientëve të Edi Ramës e sigurt që shkojnë te Edi Rama dhe tek ministrat.

Zonja Vokshi shtroi dhe një pyetje në studio: Ku ishte Alqi Bllako 12 orë? Pse nuk u arrestua, ku shkoi, kë takoi? Me kë negocioi?

Vokshi: Nëse i referohemi kronologjisë që në momentin që SPAK lëshoi fletën e arrestit, u njoftua policia që ët ruante shtëpinë e Alqi Bllakos. Kemi pasur deklarata kontradiktore dhe të nesërmen u bë publike edhe nga SPAK që e akuzonte policinë se është vonuar. Pra Alqi Bllako paska marrë një garanci. Nga kush e ka marrë garancinë përveçse nga Edi Rama për të heshtur, për të mbyllur gojën sikurse ndodh edhe në ligjet mafioze.

Vokshi tha se është një aferë që po tentohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat nga Edi Rama e ministrat e tij që të mbyllet. Ku ishte Alqi Bllako 12 orë? Vokshi: Mori garanci nga Rama për të mbyllur gojën siç ndodh në ligjet mafioze.