VIDEO/ Ndërgjegjësim për autizmin, Meta: Shteti t'i mbështesë fëmijët dhe familjet e tyre me gjithçka

“Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane” ka nënvizuar kreu i shtetit, Ilir Meta sot, gjatë një takimi që ka pasur një grup fëmijësh me autizëm, në kuadrin e 2 prillit, ditës së ndërgjegjësimit të shoqërisë për autizmin.

Në shënimin e tij me foto në Fb, Presidenti tregon:

"Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, një grup fëmijësh të mrekullueshëm me spektër autizmi, sollën në një ditë me shi, diellin dhe ngjyrat në Institucionin e Presidentit, nëpërmjet një ekspozite të veçantë me punime të tyre.

Në këtë veprimtari të organizuar në bashkëpunim me “Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik dhe Aftësi të Kufizuara” theksova domosdoshmërinë, që institucionet shtetërore të mbështesin fëmijët me autizëm dhe t’ju ofrojnë familjeve të tyre të gjithë ndihmën e nevojshme sociale, psikologjike dhe financiare.

Çdo fëmijë është unik për prindërit e tij dhe të gjithë prindërit janë krenarë për fëmijët e tyre. Ndaj duhet të përpiqemi çdo ditë për t’u krijuar të gjitha kushtet fëmijëve me aftësi ndryshe të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ju garantuar një arsim dhe mirëedukim cilësor, si dhe rritur mirëkuptimin dhe pranimin e tyre në shoqëri.

Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane, për dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë!"