Çfarë e detyroi policinë që të heshtë për Alqi Bllakon?

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi mediet në orën 7.00 të mëngjesit të së premtes se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është vetëdorëzuar në polici pas një vendimi të gjykatës për masën “arrest me burg”. Ai akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në çështjen e inceneratorëve.

Në mënyrë skandaloze, policia i cilëson “lajme të rreme” aludimet e mediave të enjten në darkë për arratisjen e Bllakos pasi vendimi i gjykatës ishte dërguar për ekzekutim në Prokurorinë e Posaçme që në orën 4 pasdite dhe deri në mesnatë policia nuk konfirmoi ndalimin e tij.

Madje drejtori i Operacionales, Oltion Bistri tha në Çim Peka LIVE se nuk kishte ndonjë dijeni. Të tjerë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit nuk e hapën telefonin.

Ngjarja u mbulua me mister dhe policia vazhdoi që të heshtte, deri në mëngjes sot kur publikoi një njoftim të paskrupullt, ku thuhej se Alqi Bllako është në Policinë e Tiranës.

Kujtojmë se kur u pyet për mediat nëse ka komunikuar me Alqi Bllakon, kryeministri Edi Rama e shmangu pyetjen. Ndërkohë sot, pas atyre orëve në pritje, Edi Rama po përpiqet që të shesë Alqi Bllakon si një njeri të ligjit.

Por skandali mbetet dhe ai nis që kur policia e pranoi se nuk kishte dijeni, duke vazhduar me faktin që nuk e gjeti në shtëpi deputetin e Ramës e deri te shpërndarja e lajmit fals që në drekë se Alqi Bllako ishte vetëdorëzuar.

Se çfarë e detyroi policinë të heshtë, kjo nuk mund të zbardhet me një arsye të vetme. Por e rëndësishme është që kjo situatë tregoi edhe njëherë sa e kapur dhe e njollosur është ajo.