VIDEO-SYRI TV/ Arrestohet deputeti i PS, Alqi Bllako

Arrestohet Alqi Bllako. 

Raportohet se Bllako është arrestuar në banesën e tij në Rrugën e Elbasanit. 

Bllako, nuk është shoqëruar me makinë me logo policie, por me makinë civile.

Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me inceneratorin e Fierit.

Me heqjen dorë nga mandati, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit caktoi në mungesë masën e sigurisë të “arrestit me burg” për Alqi Bllakon, ish-deputetin socialist. Ai u arrestua në banesë. SPAK e akuzon  për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me aferën e inceneratorëve.

Alqi Bllako dorëzoi dje zyrtarisht mandatin e deputeti, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi arrestimin e tij. Bllako akuzohet se ka përfituar 15 milionë lekë duke falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë e ktheu në truall, mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.

Në një reagim të shkurtër për ngjarjen 2 ditë më parë, Bllako mohoi akuzat, teksa u shpreh se do të sqaroj të vërtetën para drejtësisë.

Dy ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie 'arrest me burg' dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.