Rama justifikohet sërish: Kriza energjetike jo për fajin e qeverisë! Por çfarë ka harruar kryeministri?

Kryeministri Edi Rama komentoi nga foltorja e Kuvendit krizën e çmimeve në vend. Kreu i qeverisë vijoi me justifikimet duke thënë se çmimet janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë ndërsa për krizën energjetike Rama tha se kjo ndodhi jo për shkak të problemeve të brendshme apo keqmenaxhimit.

Por duket se kryeministri bën sikur harron dhe nuk di sa herë flitet për energjinë elektrike. Niveli në kaskadën e Drinit është drejt pikës së vdekjes, Fierza është tharë duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm.

Për Edi Ramën, kjo ka ndodhur për shkaqe të tjera, por vetëm keqmenaxhim nuk ka sipas tij. Ai duket se ka harruar që në 2021 ishte viti më i mirë i prodhimit të energjisë elektrike dhe gjysmën e asaj që është prodhuar, qeveria e ka shitur edhe pse e dinte se mund të përfundonim në krizë.

"Edhe Australia në fund të botës është në të njëjtën situatë. Kur lajmërova se po hynim në një fazë kritike për energjinë elektrike, krizë jo si rezultat i gjërave të brendshme.

Kriza energjetike filloi para se të fillonte lufta. Kriza energjetike sponsorizohej nga faktori që sot solli luftën. E pamundur t’i fshihesh fakteve, jemi në kushtet kur nuk flitet më për çmime. Asnjë familje s’do ketë rritje për faturën e energjisë, ne do paguajmë diferencën.”-tha Rama.