Gjermania mund ta zëvendësojë gazin rus me energji të prodhuar nga plehu

Ndërsa Gjermania përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus, tymi i fortë nga plehu dhe mbetje të tjera organike në ferma mund të veprojë si një burim alternativ energjie.

Një orë larg me makinë në perëndim të Berlinit, një erë e fortë kundërmon nga tre cilindra të mëdhenj në mes të një fushe me baltë në pronën e Kaimit, ku mbahen 100 lopë qumështore.

Çdo ditë, tonelata mbetje organike, kryesisht pleh organik, misër dhe bar, derdhen në këto enë.

Në një proces të quajtur 'metanizimi' i nxitur nga bakteret, lënda organike shndërrohet në gaz.

Ky mini termocentral furnizon me ngrohje rreth 20 shtëpi në fshatin Ribbeck, i njohur për një dru dardhe, lavdërimet e së cilës shkrimtari i shekullit të 19-të Theodor Fontane i derdhi dikur në një poezi klasike.

Çdo gjë "vjen 100 për qind nga ferma jonë", tha Kaim për AFP.

Fermeri krenohet me prodhimin e "pavarur" të energjisë në sfondin e një lufte në Ukrainë dhe i bën thirrje shtetit të "miratojë procedura më të thjeshta autorizimi" për të ndihmuar biogazin të bëhet pjesë më e madhe e burimeve në Gjermani.

I gjithë sektori i biogazit po e shfrytëzon mundësinë për t'u rritur, i nxitur nga kriza aktuale, ndërkohë që Berlini po kërkon të ndalë shpejt varësinë e tij nga Moska për energji.

Biogazi, i njohur gjithashtu si gazi natyror i rinovueshëm, është "i rinovueshëm" në kuptimin që njerëzit dhe kafshët do të vazhdojnë të prodhojnë mbetje - por se nuk duhet të inkurajohet gjenerimi i më shumë mbetjeve me qëllimin e vetëm për të krijuar më shumë biogaz.

Para luftës në Ukrainë, Gjermania importonte 55 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia, gjysmën e qymyrit dhe rreth 35 për qind të naftës.

Duke sinjalizuar se ky mesazh po dëgjohet, qeveria gjermane ka shpallur dëshirën e saj për të "rritur prodhimin e gazit "të gjelbër" këtë muaj, si pjesë e lëvizjeve për të rritur elasticitetin përballë rritjes së çmimeve të energjisë.