Skandali me mjekët shqiptarë/ Jakaj: Kjo ngjarje fakton botërisht propagandën e shpifur në pandemi

Gazeta e madhe italiane Corriere della Sera ka publikuar një shkrim mjaft kritik në 2 vjetorin e misionit shqiptar të mjekëve në Itali.

Gazetari Andrea Galli, shkruan se ardhja e mjekëve shqiptarë, ku mes tyre ishte edhe një punëtor karburanti, më shumë së ndihmë ishte një show i ndërtuar nga Edi Rama.

Por mes radhëve të shkrimit, Corriere shkruan se, në avionin ‘Air Albania’ që transportoi mjekët shqiptarë, kishte shumë para, shumë më tepër se sa ishte e nevojshme për të jetuar në Brescia, ku edhe shkuan shqiptarët.

Në këtë shkrim, gazetari Andrea Galli thekson se; ‘në këtë histori retrospektive duhet evidentuar veprimi i avokatit të famshëm shqiptar Engjëll Agaçi, shpesh mbrojtës i narkotrafikantëve të mëdhenj’.

‘Ndoshta ngaqë u hapim dyert të gjithëve. Ekipi mjekësor nga Tirana udhëtoi në një avion të mbushur me pará – nuk pati asnjë hetim, as atëherë e as më pas nuk u bënë verifikime. Shumë më tepër pará nga sa ishin të nevojshme për të jetuar në Brescia, aq më tepër që shqiptarët ishin mysafirë, ashtu si dhe rusët, duke na kushtuar 3 milion euro.

Për të folur më shumë në lidhje me këtë ngjarje ishin të ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Besnik Jakaj mjek/ sekretar i LSI për Çështjet Sociale dhe Shëndetësore  dhe Alba Kepi gazetare në Ora Neës Itali.

Alba Kepi: Gjithçka ishte e garantuar nga shteti italian, koha ju dha të drejtë dhe gazetari italian nuk tha gjë tjetër veçse atë që kishit aluduar ju. Gjëma më e fortë që vjen në këtë shkrim është se në këtë avion nuk janë kryer siç duhet kontrollet dhe dyshimi që hedh gazetari është se janë ngarkuar para cash shumë më shumë se sa ju duhej infermierëve dhe mjekëve për të qëndruar në Itali.

Besnik Jakaj: Kjo ngjarje fakton botërisht propagandën e shpifur që qeveria ka bërë gjatë gjithë kohës dhe specifikisht gjatë pandemisë. Mediat e kritikuan mënyrën e propagandimit të kësaj nisme. Është diçka që mund të ofrohet por gjithmonë nga vende të fuqishme, sepse ne jemi në vend të fundit përsa i përket menaxhimit të pandemisë. Kjo ekspozoi në mënyrë të shkëlqyer gjithë propagandën boshe që qeveria dhe Rama përdori për të përfituar individualisht. Ndërkohë që qytetarët kaluan kalvarin më të vështirë të vuajtjeve. I gjithë keqmenaxhimi është paguar me jetë nga populli.

Të kujtojmë Tiren, Tirja është mishërimi i plotë i vendit tonë. Gjithë sistemi i menaxhimit të pandemisë ka qenë i bazuar mbi propagandë, ju mbani mend shumë mirë se nuk u angazhua mjeku i familjes, që është hallka më kryesore.

Kjo përveç se paaftësi ishte dhe dashakeqësi deri në kriminale.