Çfarë po ndodh? Anija misterioze në Shëngjin përplas drejtorin e LSI me ministrin Dervishaj

Prej disa ditësh një anije është ankoruar në portin e Shëngjinit në Lezhë, duke shkaktuar madje edhe përplasje brenda LSI-së. Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë këtë fakt, teksa shkruan se nuk ka asnjë informacion rreth këtij jahti misterioz.

Sipas denoncimit në fjalë, drejtori i portit të Shëngjinit nuk ka pasur aspak dijeni për anijen që do të mbërrinte dhe ka kërkuar informacion shtesë. Në mes ka hyrë deputeti i LSI në zonën e Lezhës Gjovalin Kadeli, i cili debatoi me drejtorin e portit, që është gjithashtu eksponent i LSI.

Për të shuar debatin mes tyre, ka ndërhyrë vet ministri i Transporteve Sokol Dervishaj. Sipas informacioneve që disponon Syri.net, ky i fundit telefoi drejtorin e portit të Shëngjinit duke i dhënë urdhër që të mos bënte asnjë veprim, pasi vet ministri është në dijeni të arsyeve përse anija është ankoruar në port. Arsye që ende nuk dihen. /SYRI.net/