Rusia kufizon objektivat: Qëllimi kryesor është çlirimi i Donbasit

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se qëllimi kryesor i Moskës në Ukrainë tani është çlirimi i rajonit të Donbasit.

Sipas Guardian, kjo është një tjetër shenjë se Moska mund të kalojë në objektiva më të kufizuar pasi u përball me rezistencën e ashpër të Ukrainës në muajin e parë të luftës.

“Detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit kanë përfunduar. Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është ulur ndjeshëm, gjë që bën të mundur përqendrimin e vëmendjes dhe përpjekjeve tona kryesore në arritjen e qëllimit kryesor- çlirimit të Donbasit”, tha Shoigu.

Pas një bisede me Presidentin rus Vladimir Putin të dielën, Erdogan njoftoi se Ukraina dhe Rusia do të takohen të martën në Stamboll për të zgjidhur pikat ku ende nuk ka marrëveshje mes tyre për të arritur armëpushimin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Erdogan, Ibrahim Kalin, ka thënë në një intervistë për CNN se kërkesat e Rusisë për aneksimin e Krimesë dhe pavarësinë e rajonit të Donbasit janë jo realiste.

“Këto janë vijat e kuqe për ukrainasit në Krime dhe Donbas, dhe me të drejtë, sepse ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ne nuk e kemi njohur aneksimin e Krimesë pasi, si pjesa tjetër e botës, edhe Kina nuk e ka njohur aneksimin e Krimesë. Rusët duhet të dalin me ide të tjera”, tha ai për CNN.

Turqia po tenton të kryejë ndërmjetësin mes palëve drejt arritjes së një armëpushimi dhe zgjidhjes përfundimtare të konfliktit të armatosur, që i ka marrë jetën mijëra personave që prej 24 shkurtit kur Rusia nisi bombardimet.