'Humbi memorien' për 23 mln euro/ Loran Dusha u arrestua nga SPAK

SPAK ka firmosur urdhër-arreste të reja për çështjen e inceneratorëve.

Urdhër-arresti është prerë edhe për Loran Dushan, me detyrë administrator i inceneratorit të Fierit.

Loran Dusha, administrator i kompanisë Integrated Technology Waste Treatment Fier, 'humbi memorian' kur u pyet në Komisionin Hetimor të Kuvendit dhe pretendoi se nuk mbante mend një pjesë të mirë të transaksioneve me vlerë miliona euro.

Dusha, i pyetur nga drejtuesja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku tha se nuk kishte informacion dhe se i duhej verifikonte pretendimin që ngriti deputetja në lidhje me një transaksionin në vlerë 20 milion euro paradhënie të kryera nga kompania që ai drejton tek Integrated Technology Services që në fillim të kontratës koncesionare.

“Për çfarë punësh është paguar zoti Klodian Zoto me vlerën e 20 milion euro paradhënie nga buxheti i shtetit, kur nuk është kryer punë në inceneratorin e Fierit të paktën deri në vitin 2019?”, pyeti Tabaku. Dhe më pas tha se për të qenë e saktë shuma ishte 23 milion euro sipas Drejtorisë së Tatimeve.

Dusha nuk mohoi pagesën as shumën, por nuk dha përgjigje dhe tha se “duhej të konfirmonte”.

Ai u përgjigj po njëlloj pyetjeve prej deputetëve të opozitës për shpenzimet e kompanisë, pagesat për kompani të treta të akuzuar sipas opozitës për fatura fiktive dhe të ngjashme.

Dusha tha se “në dijeni të tij nuk ishin bërë fatura fiktive”, por tha se nuk e dinte për çfarë punësh ishin paguar një listë kompanish që Tabaku lexoi gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar se nuk kishte qenë administrator në atë periudhë. “Ndoshta janë pagesa të prapambetura”, tha ai kur Tabaku këmbënguli se transfertat kishin ndodhur në kohën që ai drejtonte kompaninë.