‘Vendimi i gjykatës shkatërroi puçin e Ramës’/ Balliu: Berisha gati për opozitë frontale me regjimin

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Klevis Balliu ka folur për vendimin e djeshëm të Gjykatës Tiranë, e cila regjistroi statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, duke i kaluar juridikisht Komisionit te Rithemelimit selinë, logon dhe vulën e PD-së.

Balliu u shpreh se dita e djeshme ishte pozitive për demokratët, por ishte ditë e tmerrshme për Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, për faktin se puçi i tyre nuk funksionoi.

Duke u ndalur te diskutimet në mbledhjen që u zhvillua ditën e djeshme, Balliu tregoi se u bisedua edhe për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve për kryetar dege.

Sipas Balliut, sot në krye të PD është Komisioni i Rithemelimit ndërsa shton se nuk ekziston një kryetar i komanduar bazuar në statutin që miratoi dje gjykata.

Ndër të tjera ai tha se në parlament grupi i PD-së nuk duhet të ketë luftë të brendshme, për arsye që t’i bëjnë ballë qeverisë së Ramës.

Balliu theksoi se Sali Berisha është ai që di të bëjë opozitë më mirë se askush.

Balliu: Dita e djeshme ishte pozitive, dhe me emocione që demokratët po ktheheshin në shtëpinë tij, por nga ana tjetër ishte një ditë e tmerrshme për Edi Ramën dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Puçi i tyre nuk funksionoi. Demokratët janë aty gati për një luftë frontale me Edi Ramën.

Dje u morën vendimet për ç’bunkerizimin e selisë së PD. Një nga vendimet e para ishte kthimi i rojes së PD, i cili u dorëhoq, gjatë debateve të brendshme, dhe sot ishte aty me ne. U diskutua për shtyrjen e afatit  të zgjedhjeve për kryetar dege. U diskutua për çështje administrative dhe patjetër për administrimin e godinës që duhet të filloj sa më shpejt.

Gjykata ka marrë një vendim, statuti i 11 dhjetorit është regjistruar, ai statut shkrin çdo anëtar të Kryesisë së pavotuar dhe faktikisht  ajo kryesi nuk mund të marrë ato vendime. Praktikisht sot Basha nuk është i dorëhequr por i shkarkuar. Nuk ekziston ideja dhe koncepti i kryetarit të komanduar të PD. Sot në krye të PD është Komisioni i Rithemelimit.

Opozitarizmi në parlament ka rëndësinë e vet dhe duhet që grupi të jetë përballë qeverisë së Edi Ramës pa qenë në  një konflikt të brendshëm.

Sali Berisha di të bëjë opozitë më mirë se askush. Do të jetë një opozitë e vërtetë.  Kjo do të shihet, kur Berisha të kandidoj dhe të zgjidhet kryetari i partisë. Nëse ne u qëndrojmë parimeve për të cilat është themeluar ajo parti bashkimi është shumë i lehtë. Aktualisht kryefjala është bashkimi, por nuk duhet të harrojmë se thelbësore është hapja e partisë. Ka ardhur momenti që ne të marrim hapa konkrete që mos t’I lëmë të rinjtë të ikin. Duhet t’u hapim rrugët dhe dyert që të bëhen pjesë e partisë dhe pjesë e institucioneve vendimarrëse në PD.