Shpallja 'non grata' e Berishës, Topalli: SHBA-të kanë aftësinë për të korrigjuar veten

Ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta heqin statusin ‘non grata’ ndaj Sali Berishës. Kur u pyet nëse do të jetë e lehtë për PD-në që të drejtohet nga një person i shpallur “non grata”, Topalli tha shqiptarët, me votimet e fundit, treguan se besimin nuk e lidhin me vendime të marra jashtë Shqipërisë.

“Eksperienca politike më ka bërë që ta shoh Sali Berishën në të njëjtin pozicion edhe në vitin 1997 dhe është bërë bashkëpunëtori më i besueshëm i SHBA-së, derisa arriti që të fuste Shqipërinë në NATO dhe të liberalizonte vizat”.-tha Topalli.

Më tej ish-nënkryetarja e PD u shpreh se SHBA-të kanë aftësinë për të korrigjuar veten.

“Të gjithë kanë problemet e tyre, pasi ato gjëra që pamë në Capitol nuk besoja se do t’i shikoja ndonjëherë. Por, ata korrigjojnë veten dhe këtë ka demokracia. Unë mendoj se në këtë rast, gjërat mund të ndryshojnë dhe mund të hiqet përcaktimi që kanë bërë sepse është krejt disproporcional”, shtoi Topalli.