VIDEO-SYRI TV/ Belind Këlliçi: Komisioni i Rithemelimit mblidhet sot për hapat e mëtejshëm

Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi tha se sot vendimi i gjykatës, që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit, ishte i vonuar.

“Por më mirë vonë se kurrë. Sot është e qartë se më 11 dhjetor fituan demokratët. Kurse më 6 mars fitoi PD. Ky vendim është akti i fundit në zgjidhjen e krizës artificiale që e dirigjoi Lulzim Basha dhe po e mban gjallë edhe për pak kohë Enkelejd Alibeaj.

Këta refuzojnë të pranojnë dhe të njohin realitetin ku ne jetojmë. Mesa duket në atë seli, në atë burgun që është shndërruar PD sot, janë të gjithë të infektuar,” tha Këlliçi.

“Gazment Bardhi dje ka intimiduar dhe shantazhuar gjyqtarin. Mesa duket, intimidimi nuk ka shqetësuar askënd. Përkundrazi ka prodhuar efekt të kundërt, si gjithmonë. Do të kërkoja që gjykata të ishte e kujdesshme dhe të bënte transparencë për çdo dosje që kemi dërguar.

Minimumi tani duhet të ketë një kallëzim për mashtrim ndaj Lulzim Bashës. Ne sot do kemi një mbledhje të Komisionit të Rithemelimit pasi është i vetmi organ vendimmarrës dhe ligjor në PD. Aty do të vendosim hapat e mëtejshëm. Në momentin që ka folur gjykata, gjithçka ka marrë fund.

Nga ky moment, kushdo që ka menduar ndryshe nga ne, duhet të pranoj realitetin që kanë prodhuar demokratët dhe që sot është i njohur edhe me vendim gjykate.

Basha i takon të shkuarës, kurse Alibeaj nuk mund të vendosë kushte. Tani me vendim gjykate, ai nuk ka asnjë funksion në PD-në. Ai është thjesht deputet,” tha Këlliçi.