Britania e Madhe sanksionon vajzën e adoptuar të kryediplomatit rus

Britania e Madhe ka sanksionuar vajzën e adoptuar të qenushit të Putinit, Sergei Lavrov si pjesë e një grupi të sanksionesh ndaj një vargu 'oligarkësh, biznesesh dhe banditësh të punësuar' rusë shkruan Dailymail.

Sanksionet e reja  përfshijnë individë si miliarderin e naftës, manjatin Eugene Shvidler, themeluesin e bankës Tinkoff Oleg Tinkov, Herman Gref dhe Polina Kovaleva vajza e adoptuar e Sergei Lavorv.

Zyra e Jashtme e Britanisë ka pohuar se shënjestrimi i Polinës "dërgon një sinjal të fortë se ata që përfitojnë nga shoqërimi i atyre që janë përgjegjës për agresionin rus janë në objektin e sanksioneve tona". 

 Polina Kovaleva e diplomuar në Imperial College, 26-vjeç jeton në një apartament luksoz, të cilin dokumentet e Regjistrit të Tokës deklarojnë se ajo e bleu për 4.4 milionë paund pa hipotekë në vitin 2016, kur ishte 21 vjeç, në një bllok pranë Kensington High Street. 

Nuk dihet ende se kush e ka paguar banesën e Polinës. 

Ajo ndan apartamentin me të dashurin e saj , i cili gjithashtu ka 10 për qind të aksioneve në kompaninë e investimeve që ajo drejton tani.

Nëna e Polinës është Svetlana Polyakova, 51 vjeç, e dashura e minsitrit të jashtëm rus të cilin e shoqëron në çdo udhëtim jashtë vendit. 

Në një deklaratë, sekretarja e jashtme e Britanisë Liz Truss tha:

“Këta oligarkë, biznese dhe banditë të punësuar janë bashkëpunëtorë në vrasjen e civilëve të pafajshëm dhe është e drejtë që ata të paguajnë çmimin. Putini nuk duhet të ketë iluzione – ne jemi të bashkuar me aleatët tanë dhe do të vazhdojmë të shtrëngojmë vidën mbi ekonominë ruse për të siguruar që ai të dështojë në Ukrainë. Nuk do të ketë asnjë lëshim'.