Lotito duhet të zgjedh mes Tares dhe Sarrit, dy klube në Bundesligë kërkojnë shqiptarin

Prej vitit 2008, Igli Tare mban postin e drejtorit sportiv tek Lazio. Në këto 14 vite, Tare ka bërë një punë mjaft të mirë në merkato, duke i sjellë klubit italian përfitime të konsiderueshme.

Kontrata me bardhekaltrit i përfundon në verën e vitit 2023, por 48-vjeçari mund ta mbyllë më shpejt aventurën me klubin italian.

Skuadra nuk po kalon një moment të mirë, teksa djemtë e Sarrit dështuan në sfidën më të rëndësishme të sezonit, duke humbur 3-0 derbin me Romën e Jose Mourinhos. Raporti i trajnerit me Taren nuk është aspak i mirë dhe mediet italiane raportojnë se Claudio Lotito duhet të zgjedhë midis të dyve.

Tare nuk ka ndërmend të largohet përpara se të gjejë një zgjidhje alternative. Emri i vlonjatit është lidhur me klube të mëdha italiane në të kaluarën, teksa, për momentin, pista më konkrete është Eintracht Frankfurt, edhe pse ka interesim edhe nga Leipzig.

Drejtuesit e kuqezinjve kanë nisur bisedimet me drejtuesin e Lazios, i cili si futbollist ka luajtur në Gjermani me skuadra si Kaiserslautern, Fortuna Dusseldorf apo Karlsruher.

Eintracht u kualifikua në çerekfinalet e Europa League pasi eliminoi Real Betis, teksa do të ketë përballë Barcelonën e Xavit në dy takimet për një biletë mes katër ekipeve më të mira të turneut.