Gripi i shpendëve/ Kristaq Berxholi: Të merren masa imediate! Asgjësimi i krerëve me groposje përhap infeksionin

Disa nga pulat që kanë ngordhur si pasojë e gripit të shpendëve janë groposur.

Mësohet se pulat janë groposur larg zonave të banuara në Bashkinë e Shijakut. 

Vetëm pak ditë më parë autoritetet thanë se nuk ka vend për panik tek konsumatorët pasi gripi i shpendëve nuk transmetohet nga konsumimi i mishit dhe vezës, nëse këto të fundit gatuhen sipas standardeve, ndërkohë vetëm dy ditë më vonë u pranua situata e rëndë që ka kapluar Shqipërinë.

Për të folur edhe më shumë rreth kësaj situate, ishte i ftuar në 'Kafe Shqet'o në Syri Tv, ish-drejtori i IKV dhe ish-pedagogu Kristaq Berxholi, i cili tregoi më shumë dhe mbi mënyrën e asgjësimit të krerëve të infektuar, që sipas tij nuk është aspak e rekomandueshme.

"Është situatë që duhet vlerësuar seriozisht sepse ne po shikojmë se ka raste edhe në shpendët e familjarëve.

Ajo që më shqetëson është se duhet të kemi një pasqyrë komplete të situatës në vend, unë mendoj se Ministria e Bujqësisë është mirë të nxjerrë një fond me vendim të posaçëm për ISUF dhe të fillojë në mënyrë frontale në gjithë vendin kërkimet për prezencën e këtij infeksioni. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët apo deklaratat e njëpasnjëshme, është koha për të vepruar me qëllim që të njohim situatën epidemiologjike dhe të parandalojmë dëmtimet e mëtejshme.

Rasti i liqenit të Prespës është akoma më shqetësues sepse me sa informacion kam unë nga mediat greke dhe nga të dhënat e Greqisë kemi të bejmë me h5n1 që është akoma më i rrezikshëm se h5n8.

Prandaj,  unë i them Ministrisë së Shëndetësisë të fillojë kërkimet në gjithë vendin. Duke njohur mënyrën e shpejte të përhapjes së këtij virusi, unë rekomandoj direkt të merren masa.

Është mëse e domosdoshme të zbatojmë rregullat e luftimit të këtij infeksioni në zonën e Durrësit, brenda një rreze prej 3 km është e domosdoshme që të fillojë menjëherë eliminimi i krerëve të kësaj zonë përreth vatrës, qofshin familjarë apo qofshin komplekse.

Dhe në një distancë tjetër deri ne 10 km duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm me analiza. Përcaktimi i këtyre zonave është shumë i detyrueshëm", u shpreh Berxholi.

 I pyetur nga moderatorët mbi mënyrën e asgjësimit të krerëve, nëse është më e rekomandueshme diegia apo varrosja, Berxholi tha se e shikon të gabuar mënyrën e groposjes pasi siguron që infeksioni të vazhdojë të jetojë dhe përhapet dhe më shumë.

"Unë kur pashë rastin e groposjes mbrëmë, më erdhi jashtëzakonisht keq, sepse kjo është një metodë shumë e vjetër, ne nuk jemi më tani 15 vjet më parë, si në 2006, që nuk kishim mënyra të tjera. Sot kemi një teknologji moderne që është ngritur në Lezhë që përmban si transportin dhe eliminimin e shpendëve në mënyrë të sigurt.

Krahas kësaj, kjo metodë rekomondohet si metoda e parë. Habitem se pse nuk e përdorin këtë kur kemi mundësi.

Problemi me varrosjen është mënyra e transportimit, që i transportojnë nga pularia deri në Shijak me mjete jo të sigurta , që bën të mundur që rrjedhjet e ndryshme nga shpendët të krijojnë përhapje të infeksionit.

Virusi në groposje jeton shumë më gjatë dhe ujërat nëntokësorë infektohen me rrjedhje në mënyrë të vazhueshme nga shpendët," pohoi ai.