Lumturia e gazetarit të Balilit për vëllanë e Agron Xhafajt, një histori bashkie dhe ‘zhgënjimi’ i Fugës

Një zonjë që punon në bashkinë e një qyteti në Gjermani, ku prej 27 vitesh ka marrë azil politik si e përndjekur politike familjarisht, Valbona (Duka) Maloku, guxoi dhe i hoqi maskën publikisht delfinit të Edi Ramës, menjëherë pasi ai e emëroi ministër të Brendshëm. Fytyra dhe karakteri i vërtetë i Fatmir Xhafajt doli sheshit, për të gjithë shqiptarët.

Por menjëherë pas kësaj, makineria mediatike e kryeministrit me në krye laboratorin malinj të Mero Bazes nisën një fushatë shpifjesh dhe dezinformacioni, për këdo që denoncoi hetuesin e egër politik të Enver Hoxhës. Veçanërisht ndaj zonjës Maloku, për të cilën u thur një “superfakenews”, duke e nxjerrë atë deri edhe vrasëse të të vëllait, Arben Dukës.

Valbona e ka hedhur në gjyq Mero Bazen, por në fakt të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe me ustain e tij, autorin e vërtetë të këtij të ashtuquajturi “investigim”, Edi Ramën. Dhe faktin e ka brenda në Facebookun e kryeministrit; që ai është në mos hartuesi direkt i kësaj shpifje monstruoze, është urdhëruesi i saj, e vërteton shpejtësia me të cilën hodhi në Facebook, “hetimin” pa asnjë lloj fakti, që nxjerr një grua të torturuar në adoleshencën e saj prej Xhafajt, si një supermafioze që urdhëron vrasje.

Laboratori ku u gatua kjo maskaradë e turpshme është i njëjti, ku narkotrafikanti tashmë me emër të madh në gjithë botën, Klemend Balili, ndërkohë që u shpall rrezik dhe i kërkuar nga DEA amerikane, në Temën e Bazes paraqitej si një `biznesmen i suksesshëm`. Të gjithë e kujtojnë verën e kaluar, kur media e Bazes bombardonte opinionin me reklamat e resortit të drogës “Santa Quaranta”. Kur mediat botërore e cilësonin “Eskobar i Ballkanit”, Baze te ai shihte vetëm biznesmenin.

E njëjta histori, po përsëritet edhe me Fatmir Xhafajn. Gazetari i Balilit me fletushkën e tij, ka kaq ditë që kur Rama e propozoi për ministër të Brendshëm, që feston dhe retushon fytyrën e tij të vërtetë. Përveç të kaluarës, harrohet që Fatmiri, kryetar i komisionit të Reformës për Drejtësi që “luftoi” për të vendosur njëherë e mirë Drejtësinë në këtë vend, ka edhe ai një vëlla binjak të Balilit; Edhe ky biznesmen i madh dhe i suksesshëm në hije, por `një çikë` i kërkuar si narkotrafikant ndërkombëtar, i drogave të rënda në gjysmën e botës.

Fiksimi i Bazes për të mbrojtur familjet mafioze të drogës, përputhet me atë të Edi Ramës. Por jo vetëm kaq. Ai feston për këtë kulm të karrierës së Fatmir Xhafajt, ndoshta edhe për një arsye më personale, që ashtu siç e kanë akuzuar shpesh kolegët e vjetër që e njohin mirë, ka të bëjë me të shkuarën e tij, si spiun i Sigurimit të Shtetit. A do të kishte lumturi më të madhe për një ish-spiun në shërbim të diktaturës që hetuesi, shefi të bëhet sot në vitin 2017 ministër i një vendi anëtar i NATO-s, instrument ky i demokracive botërore, që u krijua për tu mbrojtur nga vendet komuniste?

Por arsyet e festës që nuk ndalet në fletushkën e Bazes, janë edhe të tjera; Dhëndri i Fatmir Xhafajt dhe djali i Meros "ushqehen" nga Erion Veliaj, në bashkinë e Tiranës. Tani bashkë me Aron Xafajn e organizatën e tij kanë edhe një tepsi tjetër, më të madhe dhe plot e përplot me përshesh, të bardhë, të kuq apo jeshil…si ta duan. Xhafaj do të kontrollojë policinë, Interpol Tiranën, atë kufitaren etj, etj...

Në këtë panoramë, duket se edhe lëvizja e presidentit Nishani, duke dalë me dinjitet institucional mbi pritshmëritë e palëve në rastin e dekretimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, më shumë se militantët e opozitës ka zhgënjyer oborrtarët e kryeministrit Edi Rama. Vetëm pak minuta pas konferencës së shtypit të presidentit ku ai argumentoj se si individ dhe moral ishte kundër Xhafajt në posti e ministrit, por ishte i detyruar nga Kushtetuta që ta dekretonte, “gëbelsi i vockël” i Edi Ramës ka reaguar në faqen e tij në Twitter, duke e shfaqur hapur zhgënjimin, edhe pse ky veprim i Nishanit në pamje të parë ishte në favor të Ramës. Po kështu edhe Baze në laboratorin e tij.

“U mbars mali dhe polli lajme të rreme me stemë republike!”, shkruan Endri Fuga, duke u tallur dhe sulmuar presidentin, për gjysmën e fjalimit të tij për këtë çështje. Pikërisht për atë pjesë ku ai deklarohet kundër emërimit në një post kaq të rëndësishëm të një individi, që i ka shërbyer diktaturës, në mënyrën më të egër dhe është edhe vëlla i një narkotrafikanti.

E gjithë makineria propagandistike e kryeministrit është ndezur ditët e fundit me fuqi të plotë, për të përgënjeshtruar dëshmitë e shumta tronditëse, që tregojnë për bëmat shtazarake të hetuesit politik Fatmir Xhafaj, në vite 80-të kur ai shërbente në Degën e Punëve të Brendshme në Krujë. Por as Rama dhe asnjë nga mediat e tij shërbëtore me në krye Mero Bazen, ende nuk u janë përgjigjur disa pyetjeve të thjeshta, për të cilat opinion publik po pret përgjigje.

A ka qenë hetues Fatmr Xhafaj dhe ka dënuar egër të rinj, për një dolli me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës?

A është ai vëllai i Agron Xhafajt, kokë e trafikut ndërkombëtar të kokainës, nga Amerika Latine në Europë?

Ka edhe plot pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje, por le të flasin njëherë për këto dy më të thjeshtat, që kërkojnë dy gisht sqarim nga Rama, Bazia, edhe veçanërisht nga vetë ministri i ri i Brendshëm në tentativë, që do të drejtojë policinë shqiptare dhe luftën kundër drogës.

SYRI.net