VIDEO-SYRI TV/ Gripi i pulave përhapet në ekonomitë familjare, vatër në Divjakë dhe Prespë

Pas ngordhjes së mijëra pulave në fermat e vendit, gripi i shpendëve është përhapur edhe në fshatra. Rastet e para raportohen në zonën e Lushnjes, ku kanë ngordhur disa pula që rriten nga banorët në oborret e tyre. Ndërkohë kjo sëmundje ka prekur edhe shpendët e rralla, ku 4 Pelikanë janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Prespës.

Nga SYRI TV

Gripi i shpendëve po përhapet me shpejtësi në vendin tonë, teksa përveç fermave, tashmë kjo sëmundje po prek dhe ekonomitë e vogla familjare dhe shpendët e egër. Në fshatin Gur të bashkisë së Divjakës është zbuluar një vatër infeksioni, ku raportohet për 60 krerë pula të ngordhura. Mirsie Dervishi, fermere në këtë fshat, shprehet se shpendët ngordhën në mënyrë të menjëhershme.

Ndërkohë, veterineri i zonës Ardjan Kaja, ka marrë mostra gjaku për të kryer analizat, për përcaktimin e shkakut të ngordhjes.

Pula të ngordhura në ekonomitë familjare janë raportuar dhe në Durrës. Burime bëjnë të ditur, se banor që ndodheshin pranë dy fermave të mëdha private, që janë prekur nga ky virus, kanë pasur humbje në disa krerë pula. Të paktën 60 shpendë kanë ngordhur në disa banesa private, ndërsa numri i tyre pritet të jetë më i madh.

Ndërkohë, kreu i shërbimit veterinar në Korçë, Fatmir Ozuni, konfirmoi se në pjesën shqiptare të liqenit të Prespës janë konfirmuar tre rastet e para të ngordhjes së Pelikanit, për shkak të gripit të shpendëve.

Alarmi për përhapjen e gripit të shpendëve në vendin tonë, u dha dy javë më parë pikërisht në Korçë, kur administrata e zonave të mbrojtura njoftoi për ngordhjen e 600 pelikanëve në liqenin e Prespës.

Ndërkohë, Fatmir Ozuni shprehet se në fermat e familjarëve, deri më tani nuk ka raportime për shpend të prekur nga kjo virozë.