Francezi që luftoi në Siri shkon të luftojë për Ukrainën: Politikanët evropianë, hipokritë!

Një luftëtar francez në moshë të re, i cili u stërvit në Siri kundër xhihadistëve, po përgatitet të kthehet në vijën e frontit, këtë herë në Kiev, për të "ndihmuar ukrainasit të ruajnë lirinë e tyre".

28-vjeçari francez thotë se quhet Pierre dhe vjen nga Normandia. Ai mbërriti në kryeqytetin ukrainas pesë ditë më parë dhe po pret të dijë se ku do të vendoset së shpejti. Ai synon që të rrjtë në Kiev dhe të vendoset atje ku do të jetë "më i dobishëm": "në vijën e parë", që të jetë në gjendje të përdorë kundër rusëve aftësitë që ka fituar gjatë viteve të fundit në Siri, si "të qëllojë me armë 12.7 dhe 14.5 mm si mitraloz, kallashnikov, raketahedhës..."

Me flokë kafe, gjatësi mesatare, figurë e hollë dhe e mprehtë, ai mbërrin me një hap të qetë në parkun e Kievit, veshur në ngjyrë bezhë dhe tutë ushtarake kaki, me një shall që fsheh gjysmën e fytyrës së tij.

Më 24 shkurt, Pierre, që punon rregullisht në kantiere ndërtimi, ishte në shtëpi kur Rusia pushtoi Ukrainën. Kur ka parë pamjet është “revoltuar”. Të nesërmen, kur u zgjua, ishte ende “i zemëruar”.

"Pasdite thashë me vete: "Unë jam larg, po nuk mund të rri në divan dhe ta shikoj këtë".

'Deri ne fund'
Dhjetë ditë udhëtim me trena dhe makina e më vonë, ai ndodhet në Ukrainë, ku presidenti Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje që vullnetarët e huaj t'i bashkohen rezistencës ndaj pushtimit rus. Rreth 20,000 kanë mbërritur tashmë, sipas qeverisë ukrainase, një shifër që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ushtarët ukrainas e dërgojnë Pierre në Legjionin e Huaj të Gjeorgjisë, një njësi ushtarake e krijuar në vitin 2014 nga ish-ushtarë nga vendi i Kaukazit për të ndihmuar Ukrainën të luftojë kundër Moskës.

Sot, Pierre e di se beteja do të jetë e gjatë. Ai planifikon të qëndrojë "deri në fund të luftës nëse është e nevojshme", në "solidaritet" me ukrainasit që "luftojnë për të ruajtur lirinë e tyre" të kërcënuar nga "shtypësi" rus.

Midis viteve 2014 dhe 2020, në Siri, ai thotë se u përball me "shtypës" të tjerë: xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik (IS) dhe turq, armiq të kurdëve.

Ai kaloi katër vjet gjithsej, në tre misione, gati duke vdekur disa herë, veçanërisht në Raqa, ish-kryeqyteti i IS, të cilin kurdët, të mbështetur nga avionët e NATO-s, e rimorën në vitin 2017 nga xhihadistët. Këta të fundit, para se të arratiseshin, e kishin mbushur me mina lagje të tëra.

Ndërsa kontrollonte një ndërtesë me njësinë e tij, një nga shokët e tij shkeli një minë të zhytur nën mbeturinat në një shkallë. Pierre, i cili rastësisht ndodhej në një cep të shkallëve në atë kohë, nuk u dëmtua. Por përballë tij humbën jetën katër persona dhe një tjetër u plagos rëndë.

"Është ca traumatike," thotë ai. 

Evropianët 'hipokritë'
Ashtu si në Siri, Pierre takon vullnetarë me prejardhje shumë të ndryshme në Ukrainë, "italianë, gjermanë, norvegjezë, spanjollë, njerëz nga e gjithë Evropa", "dhe madje edhe nga India".

Sipas një burimi të brendshëm, Legjioni i Huaja Gjeorgjiane në Ukrainë aktualisht ka disa dhjetëra deri në disa qindra vullnetarë të huaj, duke përfshirë të paktën tre francezë.

Ai e sheh Ukrainën si "topin në ndeshjen e futbollit" në samitin midis Rusisë dhe SHBA-së. "Në fund, ukrainasit përfundojnë në baltë," thotë ai. “Kur gjërat shkojnë keq, nuk ka më njeri që t'i ndihmojë, ne i dorëzojmë armët me nxitim...”.

Ai e vendos Francën në të njëjtin thes me vendet e tjera "hipokrite" evropiane, të cilat janë të indinjuara, por "... le të ndodhin masakra" në Ukrainë, si "në Kurdistan, në Jemen, në Burma".

Kur ishte më i ri, në Francë, Pierre ishte shumë i interesuar për ushtrinë. Por ai ka bërë “disa gabime”, thotë ai, pa dashur të shtjellojë, ia mbylli dyert e kazermës. Dhe ai e di se qëndrimet e tij të gjata në Siri, të cilat janë të dyshimta në sytë e autoriteteve franceze, nuk do të ndihmojnë në rihapjen e tyre.

Por sot ai thotë “faleminderit atyre në Francë që e lanë jashtë ushtrisë”, “sepse është më mirë të shkosh i vetëm në Kurdistan ose këtu në Ukrainë, sesa të bësh lojën hipokrite të politikanëve”.