EMRI/ Tentoi të vriste me armë zjarri një person, arrestohet 60 vjeçari

Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.

Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre një 60-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri një tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në Kombinat, në rrugën “Llambi Bonata”, menjëherë kanë organizuar punën dhe bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Arjan Shtëmbari, 60 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– Edison Gashi, 27 vjeç dhe M. G., 42 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasi A. Sh., gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., ka tentuar ta vrasë me armë zjarri. Më pas shtetasi E. G., së bashku me shtetasin M. G., kanë goditur shtetasin A. Sh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, një krëhër me municion luftarak, gëzhoja dhe një automjet në pronësi të shtetasit A. Sh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.