EMRAT/ Zadrimë, bllokohet makina me thasë kanabisi, tre në pranga

Tre persona janë arrestuar pasi po transportonin lëndë narkotike me 2 automjete, në rrugën nacionale Shkoder - Lezhë, informoi sot Policia e Lezhës.

Në njërën makinë ishin vendosur 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë.

Prapa ndodhej një makinë tjetër e cila shoqëronte automjetin ku u gjet lënda narkotike.

Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për këtë lëvizje dhe kishte organizuar operacionin.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Izmir Dervishi, 31 vjeç shoferi i makinës ku ndodhej kanabisi,  Ergys Arrazi, 28 vjeç dhe Durim Mehmedaj, 37 vjeç, që ndodheshin në makinën tjetër.

Të tre të arrestuarit janë banues në Shkodër.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Operacioni policor u kodua “Zadrima”.